Plani i MotoGP, 7 nga 12 gara… në Spanjë

MOTO GP KALENDARI frame 153 1100x620

Garat e MotoGP kanë njoftuar deri më tani shtyrjen e 8 çmimeve të mëdha nga ajo e Katarit, Gjermanisë, Holandës dhe Finlandës, janë anuluar përfundimisht.

Kompania “Dorna”, e cila ka të drejtat televizive të transmetimit të Moto Grand Prix, ka projektuar një kalendar në të cilin katër pistat e Spanjës do të jenë baza e zhvillimit të këtij Botërori. MotoGP synon të zhvillojë 7 nga 12 garat e mbetur në vendin iberik si mundësia e vetme për të përfunduar sezonin.

Pas marrëveshjes me qeverinë andaluziane, botërori do të nisë nga Çmimi i Madh i Spanjës, më 19 korrik, në qytetin e Herez. Një javë më vonë do të zhvillohet për herë të parë në histori, Çmimi i Madh i Andaluzisë, po në pistën e Herezit.

Të pranishëm në garë dhe në bokset e skuaderive do jenë jo më shumë se 1300 persona të cilët do të testohen në hyrje dhe dalje, si dhe do të karantinohen 14 ditë më herët. Botërori i MotoGP, më pas, do të vijojë në Brno të Republikës Çeke. Prej andej, do të udhëtohet në rrugë tokësore për në Austri ku do të zhvillohen 2 gara në 2 javë të njëpasnjëshme, në Red Bull Ring. Pas Austrisë pilotët rikthehen në Spanjë, specifikisht në Montmelo.

Pjesa e mbetur e kalendarit më tej vazhdon me Italinë në Çmimin e Madh të San Marinos dhe do të mbyllet me 5 gara të tjera po në Spanjë, dy në pistën e Aragon dhe dy të tjerë në pistën e Cheste, gara të cilat do të konvertojnë të gjithë Çmimet e Mëdha që nuk mund të zhvillohen përtej kontinentit evropian.

Cirkuiti i Valencias është ai që mbyll si gjithmonë sezonin. Organizatorët e MotoGP e quajnë sukses të jashtëzakonshëm nëse Botërori do të mund të finalizohet në tilla kushte.