Shkodra “zonë e kuqe”, distancimi dhe masat parandaluese janë harruar

Përditësuar më: 11/5/2020, ora 15:09

Shkodra “zonë e kuqe”, distancimi dhe masat parandaluese janë harruar

Përditësuar më: 11/5/2020, ora 15:09

Qyteti i Shkodrës, edhe pse mbetet një ndër zonat e kuqe për shkak të zinxhirit të infektimit me koronavirus, duket se i është rikthyer normalitetit të plotë.

Edhe pse në këtë qytet shënohen çdo ditë raste të reja të personave të infektuar, kjo gjë duket se nuk i ka penguar shkodranët që të hënën të rinisin jetën normalisht. Rrugët e qytetit kanë pasur fluksin normal të njerëzve, të cilët kanë dalë sa për punë aq edhe për xhirot rutinë.

Ashtu sikurse edhe qarkullimi i mjeteve i ngjason ditëve të para pandemisë. Me sa duket edhe policia nuk shikohet mes rrugëve të qytetit, për të imponuar distancimin social, apo marrjen e masave parandaluese.

Postblloqet e policisë dhe forcave të armatosura të ushtrisë, janë përqendruar në rrugët kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit, ku drejtuesve të mjeteve u kërkohen lejet dhe autorizimet përkatëse. Mesa duket, puna e uniformave blu është përqendruar të krijojnë kontrolle të rrepta dhe të mos lejojnë lëvizje të paautorizuara mes zonave të kuqe dhe atyre të gjelbra nga Covid-19.