Francezët me birra buzë Senës, autoritetet shpërndajnë turmën, ndalohen pijet alkoolike

FRANCA GRUMBULLIMET frame 1242 1100x620

Franca ishte mes vendeve me kufizimet më të forta në Europë, në përpjekjen për të ndalur pandeminë e COVID-19.

Por frustrimi i dy muajve të izolimit, ka bërë që francezët të harrojnë skenat e shifrat e tmerrshme që vinin nga spitalet në pikun e krizës shëndetësore.

Menjëherë pas lehtësimit të masave ditën e hënë, qindra parisienë nxituan të shijonin liritë e munguara, duke iu rikthyer të pa shqetësuar traditës së pijeve më miqtë buzë lumit Senë apo në kanalin Saint-Martin.

Autoritetet vendosën të ndalonin konsumin e alkoolit në të dyja këto zona, pasi policia u detyrua të ndërhynte për shpërndarjen e turmës, vetëm pak orë pas zbutjes së kufizimeve.

Imazhe të qytetarëve të grumbulluar buzë lumit pa maska mbrojtëse, qarkulluan shpejt në rrjetet sociale. “Erdha të festoj fundin e kufizimeve. Jetoj shumë afër dhe kisha shumë dëshirë të ulesha buzë lumit. Nuk e kam bërë këtë për dy muaj, kështu isha thjesht duke shijuar një birrë”, thotë një prej tyre.

Me urdhër të Ministrisë së Brendshme, policia e Parisit lëshoi urdhrin e ndalimit të pijeve alkoolike, duke thënë se ndjente keqardhje qe po ndërmerrte një masë të tillë në ditën e parë të rihapjes së vendit.

Ministri i Brendshëm Christophe Castaner kritikoi atë që e quajti sjellje të papërgjegjshme. “Suksesi i rihapjes së jetës sociale dhe ekonomike varet nga durimi dhe përgjegjësia e secilit prej nesh”, ishin fjalët e tij. Autoritetet e kanë ndarë Francën në zona të kuqe dhe të gjelbra, me Parisin dhe disa rajone të tjera të kuqe që po i nënshtrohen një lehtësimi më të kufizuar të masave për frenimin e pandemisë.