Europianët do të pushojnë, KE kërkon rikthimin e lëvizjes së lirë në verë

Muzetë, kështjellat, plazhet dhe sheshet e Europës kanë qenë të mbyllura që prej mesit të muajit maj, por Bashkimi Europian po përpiqet të rigjallërojë me sa të mundet udhëtimet gjatë sezonit veror, që kontribuojnë me 150 miliardë euro në financat e BE-së.

Krahu ekzekutiv i bllokut, Komisioni Europian, kërkon rikthimin e ‘lëvizjes së lirë e të pakufizuar’. “Do të kemi sezon turistik këtë verë”, tha Komisioneri për Çështjet Eonomike Paolo Gentiloni, edhe pse me masa sigurie.

Nuk është ende e qartë nëse shtetasit jo europianë do të lejohen të pushojnë në vendet e BE-së këtë verë, me komisonin që saktëson se turizmi i brendshëm dhe ai mes vendeve të Bashkimit Europian do të mbizotërojë në një periudhë afatshkurtër.

Kufijtë rreth Bashkimit Europian janë mbyllur për te frenuar përhapjen e Covid-19, por shtetet kanë filluar t’i rihapin ato. “Europa po rihapet, hap pas hapi. Komisioni Europian do të ofrojë udhëzime mbi mënyrën se si do të udhëtohet në mënyrë të sigurt e të përgjegjshme për të ringritur turizmin në këmbë”, tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.

Edhe pse mund të bëjë vetëm rekomandime jo-detyruese te qeveritë që kanë kontrollin ndaj kufijve të tyre, Brukseli ofron disa udhëzime. Kompanitë ajrore dhe aeroportet duhet të këmbëngulin që pasagjerët të mbajnë maska, nuk është e nevojshme të lihet sedilja e mesit bosh. Qytetarët do të mund të qëndrojnë në hotele, të hanë në restorante apo të vizitojnë në mënyrë të sigurt plazhet, thuhet më tej.

Megjithatë nëse do të ketë një valë të dytë të pandemisë, do bëhen hapa prapa. “Deri sa një vaksinë apo trajtim të jetë i disponueshëm, nevojat dhe përfitimet e industrisë së udhëtimit dhe turizmit do të vihen ne peshore përballë rrezikut për përhapjen e mëtejshme të virusit, me shumë gjasë duke çuar në rikthim të masave të kufizimit”, tha Gentiloni.

Gjermania njoftoi se do të zbusë kontrollet kufitare nga e shtuna, me qëllimin për të lejuar udhëtimin e lirë në Europë duke filluar nga 15 qershori. Ministri i Brendshëm Horst Seehofer tha se një marrëveshje ishte arritur për heqjen e kontrolleve kufitare me Francën, Zvicrën dhe Austrinë nga 16 maji, edhe pse theksoi se kjo nuk do të mund të ndodhte ende me Italinë. Edhe tre shtetet balltike kanë vendosur të lejojnë udhëtimin e lirë të qytetarëve të vet nga 15 maji. 

Kroacia dhe Turqia hapën zyrtarisht sezonin turistik ndërsa Greqia shpëtimin e sezonit e sheh te turistët ballkanik, por nuk dihet nëse edhe atje do të ketë leje për hyrjen e të huajve. Pjesa tjetër e Europës po tregohet më e përmbajtur dhe ende nuk ka një plan për sezonin veror.