Holyfield e pranon: Dua të ndeshem me Tyson

Kanë zhvilluar dy prej ndeshjeve më të famshme të historisë së boksit botëror, në vitet 1996 dhe 1997, ku mbetet e paharrueshme sfida e dytë, e ndërprerë pas përjashtimit të Mike Tyson pasi kafshoi veshin e Evander Holyfield.

Por 23 vite më pas, dy kampionët e dikurshëm të boksit mund të ndeshen sërish me njëri-tjetrin. Ose të paktën kështu kanë lënë të kuptohet nga postimet në rrjetet sociale. Mund të jetë thjesht një përpjekje për vëmendje, por një rikthim i tyre në ring, aq më tepër kundër njëri-tjetrit, me siguri që do të ishte diçka e jashtëzakonshme për sportin e boksit.

Një ditë më parë, “Iron Mike” postoi një video në Instagram ku shfaqej duke u stërvitur fort, gati për një ndeshje, të cilën e ka paralajmëruar që në prill. Të mërkurën, edhe Holyfield postoi një video të ngjashme në Instagram, duke thënë gjithashtu që ishte gati.

I pyetur nga “Sun Sport” për mundësinë e një përballjeje me Tyson, Holyfield tha: “Po, dua të ndeshem me Mike Tyson. Por këtë duhet ta dojë edhe Mike. Nëse do të fitojmë shumën e duhur nga ajo ndeshje, le ta bëjmë atëherë. Nuk bëhet fjalë për të treguar kush është më i fortë, por për t’u treguar njerëzve se jemi dy prej boksierëve më të fortë të epokës sonë. Nuk kam asgjë personale me Mike, por mendoj se kjo do të ishte një gjë e mirë për boksin”.