Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Iniciativat për amnistinë fiskale dhe kanabisin mjekësor, Malaj: Një pjesë e qeverisë, jashtë realitetit

Nga A2 CNN
13 Maj 2020, 20:47 | Ekonomi
Iniciativat për amnistinë fiskale dhe kanabisin mjekësor, Malaj:

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj komentoi në Business Week dhe dy iniciativat më të reja të propozuar nga qeveria Rama për amnistinë fiskale dhe legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

Referuar çështjes së kanabisit, Malaj u shpreh se ai është pro nismave që sjellin burime të reja të ardhurash në buxhetin e vendit, por kërkon të njihet me mënyrën se si do të menaxhohen pasojat negative. Ai shtoi se për momentin që po kalon vendi, ky nuk është momenti për të polarizuar më tej situatën.

“Lidhur me iniciativën e legalizimit të kanabisit mjekësor. Unë besoj se në këtë situatë i gjithë fokusi duhet të jetë te kapërcimi sa më shpejt i kësaj krize. Çdo debat i ri që e polarizon më shumë politikën shqiptare ka efektet e saj negative te shoqëria dhe ambienti i biznesit. Është një investim i gabuar, në një kohë të gabuar dhe ndoshta për qëllimet të gabuara. Gjithçka paraqitet me faktin që do të sjellë të ardhura në buxhet, do të sjellë punësim. Ka shumë vende që e kanë legalizuar kultivimin. Ka shumë vende që kanë toleruar përdorimin për arsye mjekësore apo kreative, por problemi është që në këtë fazë nuk ka një qëndrim unik. Në këtë fazë kur ka disa reforma të rëndësishme si gjyqësori apo sistemi politik, zgjedhjet e ardhshme një ide e tillë i hedh më shumë benzinë zjarrit. Unë sot e kam lexuar. Ka argumenta pro dhe kundër. Dua të shoh si menaxhohen pasojat negative nga propozuesit e këtij ligji. Është shpejt që të kem një qëndrim të qartë. Dua që vendi im të ketë burime të tjera. Por të tilla iniciativa duan një shtet të fortë”, tha Malaj.

Më tej ish-ministri Malaj, për çështjen e amnistisë tha se është një përvojë e provuar më parë dhe nuk i ka arritur objektivat e mbledhjes së të ardhurave. Ai tha se rreziku që po përballet ekonomia duhet të jetë fokusi i qeverisë. Sipas tij propozimi i amnistisë dhe legalizimit të kanabisit për qëllimet mjekësore tregojnë se një pjesë e stafit kryeministror janë jashtë realitetit.

“Përvoja e amnistive nuk është diçka e re. Edhe në vendin tonë është provuar dhe herë të tjera. Nuk janë shkopi magjik për të zgjidhur problemet. Nuk arrijnë objektivat e mbledhjes së të ardhurave. Në këtë moment duhet të fokusohemi në riskun me të cilin përballet vendi për rënien e rritjes ekonomike nga -5 deri -9%. Le të fokusohemi te kjo. Nuk vepron amnistia nëse nuk ka besim te politika. Për emigrantët jam që të mos kenë asnjë lloj takse. Edhe amnistia nuk e mbyll çështjen e hetimit. Paratë që vijnë nga individët shkojnë më shpejt në ekonominë reale. Ne na duhet të fusim para në ekonomi. Në raste krizash kjo kërkohet të rritet sasia e parasë në qarkullim. Mendoj që lideri i një vendi duhet të ketë fokus. Të ndodhesh përballë pasojave të tërmetit dhe pasojave të pandemisë dhe të propozosh amnisti dhe legalizim të kanabisit besoj se një pjesë e stafit kryeministror e ka humbur lidhjen me realitetin”, përfundoi Malaj.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani