Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Jaka: Sipërmarrja s’ka strukturë për të mbajtur peshën e pandemisë, presim një paketë të tretë

Nga A2 CNN
13 Maj 2020, 20:36 | Ekonomi
Jaka: Sipërmarrja s’ka strukturë për të mbajtur

Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, u shpreh në A2 Business Week se qeverisë i është bërë e qartë paketa me 18 pika, për të cilën ka një qëndrim të unifikuar nga 22 shoqata të biznesit.

“Ne i kemi bërë të qarta propozimet tona. Ne kemi një paketë me 18 pika, për të cilat janë të unifikuara 22 shoqata të biznesit. Janë paketa që kanë bërë një kirurgji nga të gjithë ekspertët, se ku duhet të ndërhyhet, gjatë emergjencës dhe pas saj. Ne presim një paketë të tretë dhe shpresojmë se ekspertët e qeverisë do ta thërrasin.

Ne kemi kërkuar shtyrje të taksave, një paketë të tretë që të japë mundësinë e likuiditeteve për kompanitë që kanë një zbritje për qarkullimin tregtar për të likuiduar pagat e punonjësve. Ne kemi kërkuar që të përjashtohen nga tatimfitimi për vitin 2020 dhe ai të fillojë në tremujorin e dytë të vitit 2021; kemi kërkuar që të ketë heqje të taksave të pasurive, sidomos të ndërmarrjeve të prodhimit dhe atyre që kanë sipërfaqe të mëdha, ku rëndon taksa; kemi kërkuar që të ulet energjia elektrike sepse bursa po na prezanton me çmime pothuajse të jashtëzakonshme të ulëta të energjisë. Kemi kërkuar që të shikohet mundësia e shtyrjes së kredive, nëse pandemia do të vazhdojë.

Pjesa e shërbimeve jepen pasdite, ndërkohë që të punësuarve ju ndalohet lëvizja pas orës 17:30. Këto janë shërbime pothuajse të vdekura. Duhet të bëhet një kryqëzim mes logjikës, funksionalitetit dhe ligjit, në mënyrë që të kemi rendiment dhe produktin e duhur”.

Jaka thekson se më tej se sipërmarrja shqiptare nuk e ka strukturën për të mbajtur pesha të rëndë.

“Nuk do të donim kurrë që të jemi ogurzi, por ne e kemi thënë se është shumë e rëndësishme që një sipërmarrje e brishtë të ruajë performancën e saj, të paktën aty ku është, që të mos shkojë në procesin e falimentit. Sipërmarrja shqiptare, realisht, nuk e ka strukturën për të mbajtur pesha të rënda, siç është pandemia. Nga ana tjetër, nuk mund të ketë lajme më të këqija se sa BERZH-i i sotëm, i cili jep një rënie -9% të ekonomisë shqiptare dhe kjo do të ishte një sinjal jashtëzakonisht i keq për sipërmarrjen, për qeverinë dhe për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Jaka në A2 Business Week.

A2 CNN Livestream

Dita jonë