Mjekët menduan se vdiq nga koronavirusi, futbollisti rrëfen se vrau djalin e tij 5-vjeçar

Një futbollist turk i Bursa Yildirim Spor, Cevher Toktas, ka rrëfyer në polici se ka vrarë djalin e tij 5-vjeçar. Fëmija ndërroi jetë në spital më 23 prill, pasi u shtrua me temperaturë të lartë dhe disa simptoma të tjera që i çuan doktorët të besonin se ishte prekur nga koronavirusi.

Ishte vetë futbollisti 32-vjeçar që kishte marrë në telefon urgjencën për ta njoftuar se djali kishte probleme me frymëmarrjen. Fëmija u shtrua menjëherë në trajtim intensiv, por mjekët nuk e shpëtuan dot.

Disa ditë më vonë, Toktas u paraqit në polici dhe tregoi versionin e vërtetë të ngjarjeve. Ai rrëfeu se e kishte mbytur djalin e tij me një jastëk për arsye se kurrë nuk e kishte dashur atë fëmijë.

“Ia mbajta jastëkun në kokë për 15 minuta pa pushim. Kur nuk lëvizi më, ia hoqa jastëkun dhe njoftova urgjencën që të mos kishte dyshime mbi mua. Kurrë nuk e kam dashur, që kur lindi. Nuk e di pse. Kjo ishte arsyeja e vetme përse e vrava, nuk e doja. Nuk kam asnjë problem mendor”, i tha futbollisti policisë.

Cevher Toktas u arrestua menjëherë dhe do të gjykohet për vrasje, duke rrezikuar burgim të përjetshëm.