Shqipëria më e prekura, BERZH: Rënie ekonomike 9% për vitin 2020
Recesioni i ekonomisë shqiptare do të jetë më i thellë nga sa pritej. Raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim bën një parashikim për rënie ekonomike prej 9% për vitin 2020.
Kjo pritshmëri e BERZH shkon përtej skenarit më negativ të Bankës Botërore për rënie deri në 6.9%.
Parashikimi mbështetet te fakti që ekonomia shqiptare mbështetet ndjeshëm te turizmi, një industri që do të goditet fort këtë vit. Po ashtu varësia e lartë e eksporteve të mallrave drejt industrisë së modës në Itali është një faktor ndikues, së bashku me një rënie të pritshme të dërgesave të emigrantëve për shkak të krizës.
Megjithatë BERZH vlerëson se nëse kriza shëndetësore do të jetë afatshkurtër, ekonomia mund t’i kthehet një rritjeje prej 12% vitin e ardhshëm, nxitur edhe nga programi i rindërtimit pas tërmetit.