Shulku për A2: Kampionati do të vijojë edhe nëse do të dalin futbollistë me Covid-19

Kampionati i futbollit në Shqipëri do të rinisë më 3 qershor, ndërsa pritet vetëm dhënia e dritës jeshile nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo është data e përcaktuar pas mbledhjes së drejtuesve të Federatës me presidentët dhe drejtuesit e skuadrave të Kategorisë Superiore. Edhe pse kishte nga ata që kërkonin pezullimin e edicionit, në fund, të gjithë pranuan që sezoni të mbyllet në fushën e lojës.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku u shpreh në A2 se është rënë dakord për gjithçka edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. “Nuk besoj se protokolli ynë nuk do të refuzohet, pas takimeve që ne kemi zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë. Shpresoj se do të kemi një reagim pozitiv dhe jo refuzim. Në bisedë është rënë dakord për të gjitha pikat e protokollit sanitar. Është rënë dakord që para seancave stërvitore dhe ndeshjeve, lojtarëve dhe stafit, do t’u matet temperatura dhe nëse dikush do të shfaqë simptoma, atëherë do t’i nënshtrohet tamponit”.

Shulku theksoi se edhe nëse një futbollist, ose një anëtar i stafit të klubeve, do të rezultonte pozitiv me Covid-19, kampionati do të vijojë dhe futbollisti do të karantinohet.

“Nëse një futbollist do të rezultojë pozitiv me koronavirus, ai do të karantinohet, ndërsa ekipi do të vazhdojë. Ekipit do t’i bëhen tamponët dhe nëse do të jenë negativë, do të vazhdojnë ndeshjen”, u shpreh Ilir Shulku.