10 më të kërkuarit nga FBI: kryeson listën “narkosi i fundit”

E krijuar në fund të viteve 1940, nga kreu i atëhershëm i agjencisë, J. Edgar Hoover, si një mënyrë për të promovuar punën e Byrosë Federale të Hetimit, lista e 10 personave në arrati më të kërkuar nga FBI është “pasuruar” ndër vite me emra nga më famëkeqët e botës së krimit, por edhe vrasës.

Zakonisht, personat në arrati, hiqen nga ajo listë vetëm kur kapen ose vdesin. Víctor Manuel Gerena, pjesëtar i një grupi kriminal portorikan, iu shtua listës në vitin 1984 dhe qëndroi aty për 32 vite, më shumë se kushdo tjetër në histori. Ndërsa vrasësi Billie Austin Bryant, qëndroi vetëm dy orë në listë në vitin 1968.

Në listën ekzistuese, të publikuar në faqen e FBI-së në internet, janë listuar vrasës të ndryshëm që janë ende në arrati, për të cilët ofrohet shpërblim i majmë për informacionet që ndihmojnë në kapjen e tyre. Në përgjithësi, kjo shumë varion në disa qindra mijëra dollarë, por për një të kërkuar “të veçantë”, FBI ofron plot 20 milionë dollarë.

Bëhet fjalë për Rafael Caro Qintero-n, bashkëthemeluesin e Kartelit të Guadalaharas, organizatë famëkeqe në vitet 1970-’80, tashmë e shkatërruar. Në vitin 1985, Quintero ishte pjesë e grupit që urdhëruan vrasjen e agjentit të DEA-s Enrique Camarena, një histori që tregohet edhe në serialin e Netflix, Narcos Mexico. Quintero u arrestua në vitin 1985 dhe u dënua në Meksikë me 40 vite burg, por në vitin 2013 u la i lirë nga Gjykata për një kleçkë teknike. E kur Gjykata vendosi të nxirrte sërish një urdhër arresti, ai tashmë ishte zhdukur. Ai konsiderohet si “bosi i fundit i madh i narkotrafikut”, pas arrestimit të Joaquin El Chapo Guzman.