Legalizimi i kanabisit mjekësor, çfarë mësojmë nga shembulli i Maqedonisë së Veriut?

Në vitin 2016, Maqedonia e Veriut i dha dritën jeshile prodhimit të kanabisit mjekësor. Parashikimet ishin deri në 100 milionë euro në vit për arkën e shtetit. Por, edhe gjenerimi i vendeve të punës, çka do të kishte impakt të drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve dhe ekonominë e përgjithshme.

Por, a janë reflektuar efektet e pritshme, a është ndier pesha e këtij aktiviteti në jetën dhe ekonominë familjare të banorëve të Maqedonisë së Veriut?

Xhelal Neziri, gazetar në Maqedoninë e Veriut, tregoi në një lidhje direkte për “Ditari” në A2 dhe i dha përgjigje këtyre pyetjeve.

“Ka një mungesë të rezultateve të pritura nga kjo degë e re e ekonomisë. Kishte shumë optimizën në fillim se ky lloj biznesi do t’i sillte vendit fitim të madh. Por, janë investuar 3,3 milionë euro dhe fitimi ka qenë 300 mijë euro. Pra, deri tani nuk ka dalë me fitim ky biznes në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Neziri.

“Problemi i parë ka qenë mungesa e kapacitetit të tregut të brendshëm për të thithur prodhimin. Problemi i dytë është eksporti për në vendet e BE-së sepse BE-ja nuk i njeh standardet e prodhimit në Maqedoninë e Veriut. Këto dy pengesa kanë paralizuar degën e prodhimit të kanabisit, duke bërë që prodhuesit të ballafaqohen me humbje”, sqaron Neziri.