Pandemia në rajon, Kosova me 8 raste të reja; Maqedonia e Veriut zbut masat

Kosova raportoi 8 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, duke e çuar bilancin total të të infektuarve në 927. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë njoftoi se të prekurit ishin në 3 qytete.

Covid-19 u ka marrë jetën 29 personave në Kosovë, të cilët kanë pasur sëmundje shoqëruese. Përveç sistemit shëndetësor, ekonomia është një sektor shumë i rëndësishëm që po vuan ndjeshëm pasojat e masave kufizuese të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, tha: “Sektori i transportit rrugor i udhëtarëve ka humbje të mëdha, duke pasur parasysh se janë mbi 2 mijë autobusë të cilët janë jashtë vendeve të tyre të punës, gjithashtu janë mbi 500 biznese të cilat nuk janë duke ushtruar veprimtarinë e tyre edhe pas lehtësimit të masave nga COVID-19, pra bëhet fjalë për një humbje mbi 50 milionë euro”. 

Duke qëndruar në rajon, Maqedonia e Veriut zbut dhe më tej masat dhe lejoi rihapjen e qendrave të basteve dhe autoshkollat, ndërsa institucionet e edukimit për të rritur mund të mbajnë seminare dhe trajnime. Zgjedhjet parlamentare janë kthyer në një temë debati tepër të nxehtë. Komisioni Zgjedhor duhet të caktojë një datë, ndërsa mediat në Maqedoninë e Veriut shkruajnë se 14 qershori, 21 qershori dhe 7 korriku shihen si ditët më të mundshme. Por, caktimi i saj do të varet nga kohëzgjatja e gjendjes së emergjencës. Kreu i LSDM, Zoran Zaev, tha se votimi do të mbahet duke respektuar distancimin fizik dhe udhëzimet higjieno-sanitare.

Ndërkohë, Serbia po ndihmon të gjithë qytetarët e saj me nga 100 Euro për të përballuar krizën e shkaktuar nga pandemia. Kufiri me Hungarinë vijon të qëndrojë i hapur, por vetëm për punëtorët dhe jo për turizëm.