Sindroma e rrallë te fëmijët, ekspertët në SHBA dhe Britani: E lidhur me Covid-19

Dhjetëra fëmijë në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara janë prekur nga një sëmundje e rrallë inflamatore, e lidhur me koronavirusin. Gjithashtu, në pjesë të tjera të Europës si Spanjë, Itali e Francë janë regjistruar raste të fëmijëve me sëmundjen që mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me sindromën e shokut toksik.  

Në Britaninë e Madhe janë prekur rreth 100 të mitur; disa prej tyre janë shëruar shpejt, por të tjerë janë shtruar në terapi intensive. Shqetësimi u ngrit fillimisht nga mjekët britanikë në muajin prill, pasi 8 të mitur shfaqën ndërlikime, përfshirë një 14-vjeçar i cili humbi jetën. Mjekët thanë se të tetë fëmijët kishin pasur simptoma të ngjashme kur ishin shtruar në spital, përfshirë temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, enjtje, sy të kuq dhe dhimbje të përgjithshme.

Ekspertët po e përshkruajnë këtë si një fenoment të ri, të ngjashëm me sindromën e shokut Kavasaki, një sëmundje e rrallë që prek fëmijët nën moshën 5-vjeçare. Mes simptomave të saj janë skuqja e lëkurës, fryrje e gjëndrave në qafë dhe tharja e buzëve. Por, sindroma e re po prek edhe fëmijë më të rritur, deri në moshën 16-vjeçare e një numër i vogël i tyre ka pasur ndërlikime serioze.

Fakti që sindroma po ndodh në mes të pandemisë, sugjeron se dy gjërat mund të jenë të lidhura sipas ekspertëve të shëndetësisë në Londër. Ata thonë se kjo shpjegon gjithashtu se përse disa fëmijë janë prekur rëndë nga Covid-19, ndërsa shumica kanë qenë asimptomatikë.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se të paktën 15 shtete në SHBA po shqyrtojnë raste të mundshme me sëmundjen e rrallë. Siç thuhet, nga 82 fëmijë të diagnostikuar me sindromën inflamatore, 53 prej tyre rezultuan pozitivë ndaj koronavirusit apo kishin krijuar antitrupa për Covid-19.