Teatri Kombëtar, propozimi për shembjen e godinës ekzistuese votohet të premten në Këshillin Bashkiak

Publikuar më: 14/5/2020, ora 10:48
teatri 2 872x579

Teatri Kombëtar, propozimi për shembjen e godinës ekzistuese votohet të premten në Këshillin Bashkiak

Publikuar më: 14/5/2020, ora 10:48

Këshilli Bashkiak do të mblidhet të premten për të votuar mbi propozimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Pas vendimit të qeverisë për t’ia kaluar godinën në pronësi Bashkisë së Tiranës, në rendin e ditës së mbledhjes të Këshillit Bashkiak është futur vendimi për miratimin e aktekspertizës së Institutit të Ndërtimit, realizuar që në vitin 2018. Mbledhja është parashikuar të nisë në mesditë.

Të mërkurën, Policia Bashkiake shkoi në ambientet e Teatrit Kombëtar për të vendosur një letër përshkruese ku tregohej se ky institucion kalonte zyrtarisht në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

E-mail-i drejtuar anëtarëve të këshillit bashkiak, me rendin e ditës së datës 15 maj 2020

Prania e shtuar e forcave të Policisë Bashkiake pranë Teatrit ka nxitur menjëherë reagimin e aktivistëve të Aleancës për Teatrin të cilët janë mbledhur menjëherë duke mos njohur synimet e efektivëve.

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit ia kaloi pronësinë e Teatrit dhe truallit të tij bashkisë së Tiranës me qëllim për ndërtimin e një godine të re dhe multifunksionale, por pa të drejtë për ta tjetërsuar këtë pasuri apo t’ia dhënë një pale të tretë.