Zelanda e Re zbut kufizimet, qytetarët festojnë rikthimin në liri

Neozelandezët festojnë rikthimin e lirive të humbura, ndërsa autoritetet hoqën shumicën e kufizimeve të vendosura për frenimin e pandemisë. Bizneset, përfshirë qendrat e vogla tregtare, kinematë, kafenetë dhe palestrat u lejuan të rihapin dyert këtë të enjte pas uljes së nivelit të emergjencën në nivelin e dytë.

Një kryebashkiak zgjodhi të festonte ngjarjen duke hedhur me litar nga ura, me shpresën se turizmi do të ringrihet në zonë.

Të tjerë e kishin pritur këtë moment për të kurorëzuar dashurinë, ashtu si në rastin e zviceranit Hans Winkler dhe partneres së tij angleze, Holly Boud. “12 maji ishte përvjetori i njohjes. Ne deshëm të martoheshim në këta datë, por donim ta bënim siç duhet dhe pritëm derisa të lehtësoheshin kufizimet”, tha Winkler.

Qytetarët mbajtën radhë jashtë parukerive që para mesnatës të së mërkurës, disa prej të cilëve me birra nëpër duar në pritje që dyert të rihapeshin. Të tjerë shijuan kafet e shumë munguara në lokale ndërsa fëmijë u kthyen në këndet e lojërave. “Më në fund u ritakuam me njerëzit. Dita është e bukur dhe thjesht të kesh dikë me kë të pish kafen, është fantastike.

Bizneseve u është kërkuar të respektojnë distancën sociale dhe të zbatojnë masat e nevojshme të higjienës. Kryeministrja Jacinda Ardern e vendosi shtetin në Paqësor në izolim për një muaj, nën kufizime të nivelit të katërt. Zelanda e Re është çliruar nga koronavirusi i ri, e prej disa ditësh nuk raporton më infektime. Më 18 maj, pritet të hapen edhe shkollat.