Ndeshjet me dyer të mbyllura, klubet shpalosin risitë e atmosferës artificiale në stadium

Trajneri i Sampdorias në Serie A, Claudio Ranieri, u shpreh së fundmi se të luash pa tifozë është “vdekje e futbollit”, por duke mos pasur asnjë mundësi tjetër përveçse zhvillimit të ndeshjeve me dyer të mbyllura për shkak të koronavirusit, sporti tashmë duhet të gjejë mënyra për të rikthyer jetën në shkallët e stadiumeve.

Nga vendosja e fotografive të tifozëve në stolat e stadiumeve, te një aplikacion që mundëson brohorimat e fansave të dëgjohen në stadium, futbolli ndoshta së shpejti do të përqafojë ide të cilat deri disa javë më parë do të hidheshin poshtë si jo autentike.

Dinamo Minsk i Bjellorusisë, i vetmi vend evropian ku kampionati vazhdon pavarësisht pandemisë, ishte klubi iniciator i mbushjes së shkallëve me portretet e përkrahësve të tyre. Ndërsa liga bjelloruse fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm, klubi i Dinamos, ftoi tifozët nga e gjithë bota të blinin bileta virtuale në internet në mënyrë që fotografitë e tyre të stampoheshin në një prej tribunave kryesore të stadiumit.

Futbolli Evropian po rizgjohet me ritme të ngadalta dhe Bundesliga është liga e parë nga kampionatet kryesore që rinis prej kësaj të shtune. Të gjitha ndeshjet do të luhen me dyer të mbyllura. “Ndeshje fantazmë”, mund të cilësohen ndryshe. Në një kohë kur vendet e tjera janë ende të shqetësuara për marrjen e aprovimit nga qeveritë e tyre për të rifilluar, Gjermania ka nisur të mendojë për të gjetur një mënyrë se si stadiumet të kenë atmosferë edhe pa praninë e tifozëve.

Borussia Moenchengladbach i ka ofruar mbështetësve një mundësi të ngjashme si ajo e bjellorusëve të Dinamo Minsk. Për 19 euro, mundëson vendosjen e portreteve në shkallët e stadiumit dhe të ardhur që do të mblidhen nuk do të shkojnë në arkat e klubit, por për bamirësi në qytet. Kjo risi vlen edhe për tifozët miq nëse duan të mbështesin virtualisht skuadrën e tyre. “Organizatorët e fushatës do të jenë të ngarkuar me shumë detyra. Ne mund t’i ndihmojmë ti vendosin të gjitha fotografitë”, thotë përfaqësuesi i tifozëve të Borussia-s, Thomas Vienman.

Spektakli pritet të jetë edhe më i madh në Danimarkë. Klubi Midtjylland po mendon t’i ofrojë fansave shikimin e ndeshjeve në formën e kinemave drive-in. Danezët kanë planifikuar të vendosin dy ekrane gjigande jashtë stadiumit të tyre dhe të lejojnë tifozët të ndjekin ndeshjet nga makinat e tyre. Me hapësira për 2000 automjete në parkingun e stadiumit, klubi thotë se takimet e skuadrës mund të nga deri në 10000 njerëz.

Por, për shumë persona, problemi i vërtetë është mungesa e koreve, brohorimave, duartrokitjeve. Është një ndjenjë gati e frikshme, për ndeshjet në stadiume boshe ku bëjnë jehonë vetëm britmat e lojtarëve dhe udhëzimet e stafit drejtues.

Gazeta spanjolle “Sport” raportoi se La Liga dëshiron të instalojë sisteme audio në stadiume  me zërat e tifozëve nëse kampionati do të fillojë në qershor. Muajin e kaluar, shefi ekzekutiv i anglezëve të Brighton, Paul Barber u shpreh se klubet angleze po e konsiderojnë këtë metodë. “A mund ta bëjmë stadiumin më të bukur se sa vetëm stolat blu, bosh në rastin tonë? A mund ta shohim që do të vijë në një farë mënyre nga stadiumi, por a është me të vërtetë kjo ajo që dëshirojnë tifozët në shtëpi apo transmetuesit televizivë?” – pyet ai.

Edhe pse zhurmat e tifozëve mund të ngjajnë si efekte të ndonjë seriali komedie, teknologjia moderne mund ta përmirësojë atë dhe mund ta bëjë reale. Kompania me qendër në Mynih, “Hack-CARE”, ka zhvilluar një aplikacion i cili potencialisht mund të riprodhojë brohoritje, të kënduar dhe madje edhe vërshëllima në stadium në varësi të reagimeve të që tifozët do kenë ulur në kolltukët e tyre.

Tifozët që shkarkojnë aplikacionin “myapplauseapp” u kërkohet të zgjedhin cilin klub mbështesin dhe cilën ndeshje duan të shikojnë. Atyre më pas iu jepen katër opsione: brohoritje, përplasje, këndim dhe vërshëllima. Fillimisht, aplikacioni do të regjistrojë zgjedhjen e tifozëve në sistemin e audios në shtëpinë e tyre. Programi më pas do të instalohet në stadium, ku mund të dëgjohen reagime nga deri në 350 mijë fans. Kaq është kapaciteti maksimal i riprodhimit nga aplikacioni. “Duket e mahnitshme, është një tingull real”, tha Viktor Mraz, një nga krijuesit e këtij aplikacioni. Është vërtet argëtuese dhe e bukur, t’i shtypni një buton nga shtëpia dhe i gjithë stadiumi nis të brohoras”.

Mraz u shpreh se po zhvillohen negociata me të gjitha klubet e mëdha në Gjermani. “Shumë janë përfshirë në negociata. Teknologjia është gati por duhet të bien dakord shumë njerëz, duhet të pranohet nga të gjithë futbollistët, gjyqtarët, komuniteti i sportit, janë të shumtë këta persona. Ndaj, mendoj se ndeshjet do të nisin fillimisht pa ndonjë tinguj në stadiume”.

Mraz shtoi më tej se tinguj të ndryshëm mund të luhen nga në sektorë të ndryshëm të stadiumit dhe nivelet e tyre mund të rregullohen manualisht për të bërë diferencën e tifozëve që pritës dhe atyre miq. Kështu që, mbetet një çështje e mprehtë. Disa vjet më parë, transmetuesi zviceran SRF kërkoi falje për vendosjen e zhurmave artificiale të turmave në derbin mes Zyrih dhe Grasshoppers, ku tifozët bojkotuan fillimin e lojës prej çmimet të lartë të biletave. Shikuesit u hutuan kur dëgjuan brohoritje ndërsa imazhet në ekran shfaqnin e shkallët e boshatisura të stadiumit. Ideatori e mbyll duke i mirëkuptuar tifozët dhe qëndrimet e tyre. “Është një ndalesë e shkurtër nga e cila do të rikthehemi shpejt atje ku ishim. Duhet të bëjmë diçka, mbajmë emocionet gjallë”, thotë ai. Nuk është diçka reale, nuk do të jetë kurrë. Por është më mirë se sa asgjë.