Prej 200 vitesh rrezikonin jetën mbi shkëmb, më në fund bashkohen me pjesën tjetër të botës

Fshatarët në një vendbanim të largët në Kinë rrezikonin çdo ditë jetën për të shkuar në shkollë apo punë. E vetmja rrugë që lidhte fshatin e tyre me pjesën tjetër të botës ishin një palë shkallë që vareshin në shkëmbin 800 metra të lartë ku ndodhej fshati i tyre.

Prej 200 vitesh banorët jetonin me vdekjen, por vetëm në vitin 2016, fshati Atule’er në Sichuan u bë i famshëm në të gjithë globin, kur mundimi i përditshëm i fëmijëve për të shkuar në shkollë u fotografua. Ngjitja ose zbritja në “shkallët e qiellit” – siç i kishin pagëzuar vendasit – zgjaste për rreth 2 orë. Ishte mënyra e vetme për ta për të komunikuar me pjesën tjetër të shoqërisë.

Në vitet e fundit, autoritetet kishin zëvendësuar shkallët e drunjta, të ndërtuara në mënyrë artizanale, me shkallë hekuri, që shkurtonin ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe minimizonin rrezikun. Por më në fund, këtë javë, u vendos transferimi i përhershëm i 84 familjeve që kishin mbetur ende aty, në një bllok banesash sociale në qytetin kryesor të krahinës, Zhaoojue, 75 kilometra më larg, raportoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve. Megjithatë, ka ende 30 familje që mendojnë të qëndrojnë. Sepse fshati Atule’er, është bërë i famshëm dhe ka tërhequr shumë turistë në vitet e fundit. Për këtë, autoritetet po mendojnë edhe të ndërtojnë një teleferik, për të mundësuar ngjitjen e shpejtë në fshat.