Trump dhe Fauci, kur politika i kundërvihet shkencës

Ka qene në vijën e parë te betejave të Amerikës kundër SIDA-s, Sars dhe virusit Zika. Doktor Anthony Fauci, është në funksionin e kreut te institutit kombëtar për sëmundjet infektive prej 36 vitesh e ka këshilluar 6 presidentë. Por me shumë gjasë nuk ka kundërshtuar asnjë tjetër në publik sa Donald Trump…

Mjeku më i famshëm i Amerikës, u kthye në imazhin e luftës kundër Covid-19. Mbështes i fortë i argumentit shkencor, i drejtpërdrejtë e i pamanipulueshëm, përpos asaj me armikun e padukshëm po lufton edhe një tjetër betejë; atë më kreun e Shtëpisë së Bardhë. Në shtetin më të prekur nga pandemia e koronavirusit, shkenca dhe politika nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët, me të parën që kërkon kujdes në rihapjen e ekonomisë dhe administratën Trump që këmbëngul në rindezjen e shpejtë të motorëve të vendit.

Fauci dekorohet nga George W Bush

Kontradiktat mes presidentit dhe mjekut trupvogël ishin të dukshme që në fillim të marsit, kur presidenti diskutoi mbi një afat kohor për krijimin e vaksinës.

Duke folur për sikletin e tij, lidhur më veprimet e deklaratat e papërshtatshme të Trump sa i përket pandemisë, në një rast, mjeku u shpreh: “Nuk mund të hidhem para një mikrofoni dhe ta shtyj”.

Deklarata ushqeu edhe më tej spekulimet për marrëdhënie të tensionuar mes të dyve. Në mesin e muajit prill, Trump rishpërndau në Twitter thirrjen e një ligjvënësi konservator për shkarkimin e Faucit por më vonë bëri një hap një prapa. “Më pëlqen ai. Vij këtu sot dhe dëgjoj se do ta shkarkoj. Jo nuk do ta bëj, mendoj se ai është një njeri i mrekullueshëm”, deklaroi Trump.

Këtë javë, ishte Fauci ai që zhdramatizoi situatën: “Nuk ka asnjë konfrontim mes meje dhe presidentit. Siç ua kam thënë shumë herë, unë jap këshilla dhe opinione të bazuara në informacione shkencore. Ai dëgjon dhe e respekton mendimin tim”.

Por presidenti nuk i rezistoi dot instiktit për të sulmuar ekspertin e lartë, pasi ky i fundit tha hapur për senatin se plani I Trump për rihapjen e vendit, do të kishte pasoja serioze për shëndetin publik. “Shikoni, ai po bën lojë të dyfishtë. U befasova me përgjigjen e tij, për mua është e papranueshme, veçanërisht paralajmërimi për hapjen e shkollave”, tha Trump.

Fauci është vënë gjithashtu në shënjestër të opnionistëve të djathtë, të cilët e akuzojnë se po pengon përpjekjen e Trump për rikthimin e ekonomisë në shina. Por kjo nuk është hera e parë që e gjen vetën në qendër të polemikave gjatë një krize shëndetësore. Në vitet ‘80, ndërsa punonte për gjetjen e trajtimeve kundër SIDA-s në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, protestuesit mësynin shpesh godinën duke akuzuar qeverinë se nuk kishte bërë mjaftueshëm. Një aktivist publikoi një letër të hapur ku thuhej “Fauci, ti je një vrasës”.

Vetë mjeku, pati thënë në një intervistë për “New Yorker” se ndjente keqardhje që nuk kishte shpëtuar më shumë jetë. Ishin orët më të errëta, shprehej ai. Tani, ata që e njohin prej dekadash janë mirënjohës që është shndërruar në imazhin e betejës me Covid-19.

“Është e vështirë të imagjinosh se çfarë do të bënim pa Tony Fauci. Ai do të na thotë lajmet e mira e te këqija, dhe ne mund ta besojmë plotësisht”, thotë Dr. William Schaffner.

Shtetet e bashkuara, sot më shumë se kurrë kanë nevojë për një reagim të koordinuar kundër një prej krizave më të renda të shekullit, por hendeku mes qasjes së Trump dhe racionalietit shkencor po thellohet gjithnjë e më shumë, duke e lënë shtetin më të fuqishëm në botë, të papërgatitur përballë kërcënimit të ri shëndetësor.