Ditë e shënuar, futbolli kthehet në fushë pas 71 ditësh, ekipet në stërvitje

Futbolli shqiptar është rikthyer në fushë. Pas dritës jeshile nga institucionet shëndetësore, skuadrat elitare në vend kanë nisur përgatitjet për mbylljen e sezonit në fushë.

Në momentin e paraqitjes, të gjithë futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafit u është matur temperatura nga stafi mjekësor, ndërsa u janë shpërndarë edhe maska e doreza mbrojtëse. Me masat e protokollit shëndetësor, si mënyrë mbrojtje nga pandemia e virusit të ri korona, janë ndërgjegjësuar edhe vetë futbollistët.

Emanuel Egbo

Protokolli sanitar ishte kushti për të rinisur stërvitjen, ndërsa problemi më i madh për futbollin shqiptar lidhet me gjendjen fizike dhe rrezikun e lëndimeve të sportistëve.

Lojtarët nuk janë të prekur nga virusi, masat që po aplikojmë janë për të shmangur dëmtime nga momenti që muskulatura e tyre nuk është në gjendje maksimale”, thotë fizioterapisti Arzen Voci.

Rikthimi pas ndërprerjes së gjatë nuk e shqetëson trajnerin Egbo. Bardheblutë do të marshojnë drejt titullit, në 10 javët e mbetura të Kategorisë Superiore, ku kryesojnë me 9 pikë diferencë nga Kukësi.

Orges Shehi

Pas 71 ditëve, në stërvitje kanë dalë edhe pretendentët për titullin. Te Kukësi, trajneri Orges Shehi nuk e mendon dorëzimin, edhe pse periudha e përgatitjeve është e shkurtër dhe fundi i kampionatit do të jetë i ngjeshur.

“Ditë e shënuar, kthehemi te pasioni dhe puna jonë, skuadra është e plotë për të vazhduar me entuziazëm”, deklaroi Shehi.

Përgatitjet nisën edhe për Partizanin kampion në fuqi, që do të synojë rikthimin në zonën e kupave të Europës dhe Teutën, që ashtu si Tirana synon ta festojë 100-vjetorin e themelimit me trofe, ndoshta me Kupën e Shqipërisë.