Drejtoresha e Arsimit dhe maturantja, dy anët e medaljes së një mature të veçantë

Provimet e maturës po afrojnë, padyshim në kushte të reja për të gjithë. Zamira Gjini, drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, tregon për A2 si ka qenë dita e parë e kthimit në klasë për maturantët.

Sipas saj, vetëm 7% e maturantëve nuk pati mundësi të kthehet, duke vazhduar të studionin online, ndërkohë që në klasat u respektuan me orare me zgjatje 4-orëshe, për t’i përgatitur për provimet e qershorit.

Sipas drejtoreshës “të gjitha shkollat janë dezinfektuar një ditë më parë nga pushteti vendor, kanë pasur ujë të rrjedhshëm dhe materiale dezinfektonte për çdo maturant”.

Mësuesit janë porositur që më parë të zhvillojnë një bisedë me maturantët për të larguar stresin dhe ngarkesën e tyre në prag të një momenti kaq delikat dhe të rëndësishëm për to.

Gjini mendon se provimi edhe gjatë këtij viti “ndryshe” do të mbajë gjithsesi standardet e përcaktuara, edhe pse do të jetë më i kufizuar.  Por ajo këshillon nxënësit që të jenë gjithmonë në kontakt me mësuesit dhe të informohen për testin e ri te “këndi i maturantit” që ndodhet ne çdo shkollë.  

Ndërkohë, nga ana tjetër e medaljes, maturantja Antea Spahiu nuk duket aspak e shqetësuar nga provimi që do të përcaktojë një pjesë të së ardhmes së saj.

Maturantja tregoi për A2 se edhe pse rinisja e mësimeve filloi në një godinë ndryshe nga shkolla e saj, “Sami Frashëri”, tashmë i shembur dhe në pritje rindërtimi, kushtet ishin komode dhe masat higjienike ishin të përpikta.

Ajo sheh me interes më të madh të ardhmen, teksa edhe se ka aplikuar në një universitet jashtë shtetit, sërish nuk do të dekurajohej edhe po të studionte në Tiranë. Për momentin, shqetësimi më i madh duket zhvillimi ose jo i një tjetër eventi që të rinjtë presin me padurim, mbrëmjen e maturës.