Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Maturantët në rrethe, të distancuar dhe të përqafuar pranë shkollave

Nga A2 CNN
18 Maj 2020, 14:07 | Aktualitet

Pas 12 javësh pezullim të procesit mësimor, 2248 maturantë në Durrës janë rikthyer në bankat e shkollës për të vijuar me fazën përgatitore për provimet e Maturës Shtetërore. Nga vëzhgimi i kryer mëngjesin e sotëm nga A2 në disa prej gjimnazeve të qytetit, vihen re kujdesi i shtuar i higjienës dhe masave mbrojtëse kundër përhapjes së virusit Covid-19.

Ata mbeten skeptikë për kohën e shkurtër që kanë në dispozicion për t’u përgatitur për provimet që përmbyllin ciklin 3-vjeçar të arsimit të mesëm.

Në Elbasan, 1648 maturantë u janë rikthyer bankave të shkollës, por ndryshe nga herët e tjera, nën masa të forta të distancimit social dhe kushte të rritura të higjienës.

Përveç masave, nxënësve u është siguruar asistenca mjekësore, psikologjike si dhe siguria gjatë ditëve që do të frekuentojnë shkollën. 201 maturantë do të vazhdojnë mësimin online në Elbasan pasi nuk kanë mundësi të vijnë në shkolla për shkak të mungesës së transportit.

Edhe në qytetin e Vlorës janë rihapur 25 institucione arsimore dhe 1180 maturantë janë rikthyer në bankat e shkollës. Në zyrën arsimore të Himarës 50 maturantë janë rikthyer në mësimin normal pas ndërprerjes së mësimit nga data 10 mars për shkak të pandemisë nga Covid-19.

Nxënësit do të ndahen në klasa me nga 10 persona ndërsa do të vijojnë procesin mësimor që iu paraprin provimeve të maturës.

Ndërkohë në Korçë duket që maturantët kanë qenë më të shkujdesur. Nuk kanë munguar grumbullimet në distancë të afërt dhe as përqafimet me shoqet e klasës.

Maturantët shpresojnë që këto ditë para provimeve të rikuperojnë sa të mundin pasi mësimi online nuk është plotësisht efektiv. Në Korçë janë rreth 1200 maturantë që do të ndjekin fazën parapërgatitore për provimet e maturës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli