Pandemia në Rajon, Kosova nis zbatimin e masave të reja, rihapet ekonomia

KR RAJONI PANDEMIA.duplicate frame 2877 1100x620

Kosova nisi implementimin e fazës së dytë të rikthimit në normalitet, duke zbutur masat kufizuese të vendosura për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Gjatë saj do të ketë hapje më të madhe të ekonomisë dhe lëvizje të shtuar të qytetarëve. Konkretisht do të rihapen sallonet e bukurisë dhe berberët, stomatologët, tregu me pakicë, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban (me leje të veçanta), galeritë dhe muzetë.

Faza e parë e lehtësimit të masave për të luftuar koronavirusin në Kosovë filloi më 4 maj, teksa faza e dytë parashikohet të zgjasë deri më 1 qershor. Ndërsa Maqedonia e Veriut është përqendruar më shumë në ekonominë e vendit dhe shpenzimet e banorëve.

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, prezantoi pakon e tretë të ndihmës prej 335 milionë eurove që do të merren nga buxheti dhe do të shpërndahen për 730 mijë qytetarët. Përfituesit janë kryesisht persona të papunë, ata që kanë të ardhura deri në 240 euro si dhe qytetarët që marrin ndihmë nga shteti.

Shumica e këtyre shpërblimeve do të jenë në formën e kuponave, të cilët do të mund të blejnë produkte të prodhuara brenda vendit dhe të paguajnë shërbime të ndryshme. Edhe Greqia lehtësoi më tej masat kufizuese.

Më shumë se 200 site arkeologjike, përfshirë Akropolin, u rihapën sipas ministrisë së Kulturës të shtetit Helen. Punonjësit mbanin maska dhe doreza ndërsa u kthyen në aktivitet pas dy muajsh në izolim. Ata pritën turistët e paktë, duke i këshilluar që të ruanin distancën fizike prej 1.5 metër.

Një javë më parë, Greqia rihapi dyqanet, shkollat dhe lejoi udhëtimet brenda vendit dhe në dy ishujt, Kretë dhe Evia. Pjesa tjetër e ishujve të vendit si dhe baret e restorantet do të rihapen më 25 maj.