Rikthimi i sportit, nisin stërvitjet në grup, lojërat me dorë në hije

STERVITJET NE GRUP ZYRTARE frame 0 1100x620

Futbolli shqiptar nisi sot zyrtarisht përgatitjet për rikthimin në fushat e lojës. Në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, skuadrat shqiptare janë të lira të stërviten në grup dhe jo më vetëm individualisht, duke hedhur një hap të rëndësishëm në rrugën e rinisjes së kampionatit më 3 qershor.

Rikthimi i stërvitjeve në mënyre kolektive gjithsesi do të shoqërohet me masa higjieno-sanitare, ku të gjithë stafit të klubeve, do t’iu kontrollohet temperatura gjatë stërvitjeve, do të pajisen me higjienizues përtej respektimit të distancave të sigurisë në hyrje-dalje të komplekseve si dhe gjatë qëndrimit në dhomat e zhveshjes.

Klubet kanë përfunduar edhe dezinfektimin e ambienteve sportive gjatë fundjavës, një tjetër masë e parashikuar kjo në protokollin e sigurisë.

Por, ky vendim vlen vetëm për sportet që do të zhvillohen në ambiente të hapura. Lojërat kolektive të tilla si basketbolli dhe volejbolli shqiptar janë lënë në hije dhe nuk ka asgjë konkrete sa i përket rinisjes së aktiviteteve.

Palestrat sportive mbeten ende të mbyllura e bashkë me to qëndrojnë pezull edhe kampionatet kombëtare. Skuadrat shqiptare të lojërave me dorë, mund të stërviten ndërkohë në grup, por jo në parkete duke lënë kështu në vendnumëro përgatitjet për rikthimin e tyre.