Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Situatë dramatike në Brazil nga pandemia, sistemi shëndetësor pranë kolapsit

Nga A2 CNN
18 Maj 2020, 11:45 | Bota
Situatë dramatike në Brazil nga pandemia, sistemi

Brazili është kthyer në një prej epiqendrave të pandemisë së Covid-19, duke tejkaluar Italinë dhe Spanjën për nga numri i infektimeve.

Me mbi 241 mijë raste me koronavirus, ai u bë shteti i katërt në botë pas SHBA-së, Rusisë dhe Britanisë së Madhe. Shteti i Amerikës Latine pati edhe një bilancë të hidhur të jetëve të humbura, me mbi 16 mijë e 100 viktima. Qyteti më i madh në vend, ai i Sao Paolos, po mban mbi supe peshën më të rëndë, e sipas kryebashkiakut Bruno Covas, sistemi i shëndetësisë është pranë kolapsit.

Kërkesa për shtretër në terapitë intensive është bërë e papërballueshme; te infektuarit janë me mijëra në ditë, ndërsa viktimat me qindra. Ekspertë të shëndetësisë paralajmërojnë se bilanci real mund të jetë shumë më i lartë, pasi siç thuhet, testeve po u nënshtrohen vetëm personat që shkojnë në spital. Kryebashkiaku i Sao Paolos tha se kishte nisur diskutimet me guvernatorin e shtetit për të ndërmarrë kufizime më strikte në përpjekjen për të frenuar përhapjen. Presidenti Jair Bolsonaro është kritikuar ashpër brenda e jashtë kufijve për mënyrën se si e menaxhoi krizën shëndetësore.

Ai sfidoi udhëzimet globale për distancim social të dielën, kur pozoi krah mbështetësve dhe fëmijëve në kryeqytetin Brazilia. Bolsonaro vijon të kundërshtojë masat e izolimit, me pretendimin se distancimi social vetëm sa do të rrënojë ekonominë.

Edhe Meksika ka shënuar rritje të ndjeshme të rasteve me Covid-19, ndërsa Ekuadori pati kolaps të sistemit shëndetësor në muajin prill. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani