Solisti i Scorpions: “Wind of Change” nuk është shkruar nga CIA

klaus meine 1100x620

Këngëtari i grupit legjendar Scorpions ka hedhur poshtë pretendimet se kënga më e famshme e grupit, “Wind of Change”, të jetë shkruar nga CIA, si pjesë e propagandës në epokën e Luftës së Ftohtë.

I ftuar në një emision televiziv amerikan, Klaus Meine shpjegoi edhe si kishte nisur të përhapej ky lajm, për këngën më epike të grupit, të shndërruar në himn të ndryshimeve të mëdha politike në Europë dhe botë, publikuar në vitin 1990.

“Kur ma përmendën si teori më erdhi shumë për të qeshur”, kujtoi Meine. “Mu duk shumë e këndshme si ide, edhe pse ishte një histori e çmendur. Nuk është fare e vërtetë. Siç thoni ju amerikanët, ishte fake news”.

“Wind of Change” mbetet edhe sot një nga këngët baladat më të bukura të muzikës rrok. E publikuar në kanalin zyrtar të Scorpions në YouTube në vitin 2009, këngë numëron mbi 763 milionë shikime.