Aktori Zeqja tregon për A2 pse ishte pro shembjes së Teatrit Kombëtar

Aktori Lulzim Zeqja, pjesë e zërave pro për ndërtimin e teatrit të ri, tha në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 se u bind për një teatër të ri pasi mori pjesë në 4 biseda ku diskutuan edhe specialistë.

“Unë jam shprehur pro teatrit të ri pas 4 bisedave mes specialistëve. Janë organizuar 4 tavolina të cilat i kam ndjekur me shumë kujdes dhe specialistët që kanë folur aty më kanë mbushur mendjen që ai teatër e kishte humbur funksionalitetin e tij. Ata thanë se ai teatër nuk e mbante dot rikonstruksionin dhe nuk besoj se ata burra të vjetër të jenë shitur apo blerë”, tha Zeqja.

Kur u pyet për ndjesitë e tij për shembjen e godinës, Zeqja tha: “Nuk e përjetova lehtë shembjen e atij teatri, pasi kam dhe unë shumë kujtime. Por, nga bisedat dhe nga ajo që shikonim vetë, e kuptova që nuk kishte më funksionalitet. Unë e respektoj betejën që bëjnë kolegët, por mendoj se politika po i bën skllevër”.

Në lidhje me projektin e ri, aktori theksoi: “Duhet të jetë akoma më transparent, por aq sa u tha për këtë projekt, m’u duk ambicioz dhe besoj se do të jetë teatër i mirë”.