Koronavirusi/ “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë!”, politika shkel masat

A ka ikur koronavirusi nga Shqipëria? Kjo është pyetja që bën kushdo teksa sheh se si politika servir në kohë pandemie aktivitetet e saj. Shkeljet e masave dhe protokolleve të ekspertëve nisën me prishjen e Teatrit Kombëtar.

Të parët që thyen pandeminë ishin efektivët e policisë. Veç maskave në fytyrë, nuk respektuan asgjë nga rregullat e vendosura në këtë kohë COVID-i që kryeminstri e quan luftë.

Shpërfillja e virusit vijoi nga protestuesit që kundërshtojnë shembjen e teatrit. 

Frikën, izolimin dhe sakrificat dymujore të karantinës e harroi edhe opozita. Nga komunikimet “online”, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dolën në shesh bashkë me protestuesit. Jo vetëm shkelën rregullat e pandemisë, por lëshuan edhe deklarata për mosekzistencën e virusit.

Vetëm pak metra larg shembjes, kryeministri Edi Rama inspektoi godinën e përfunduar të Teatrit të Operas dhe Baletit. Asnjë distancë apo masë kundër virusit. 

Edhe Erion Veliaj, pasi prishi teatrin me një vendim “online” të Këshillit “në karantinë”, e theu dhe ai pandeminë. Ka hequr maskën dhe i është rikthyer përqafimeve pa pyetur për virusin.

Por, në këtë situatë pandemie, kur mijëra fëmijë dhe të moshuar janë ende në izolim, qytetarët dhe biznesi shtrëngohen të respektojnë masat, specialistët duhet të flasin dhe jo vetëm me shifra. Ndërsa autoritetet përgjegjëse kanë detyrimin të njoftojnë nëse lufta me virusin ka mbaruar, ose të mbajnë përgjegjësi për valë të dytë të infektuarish me rihapjen e politikës.