Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Mazniku: U nxituam për ta prishur Teatrin pasi ishte i rrezikshëm për njerëzit që rrinin aty

Nga A2 CNN
19 Maj 2020, 19:56 | Aktualitet
Mazniku: U nxituam për ta prishur Teatrin pasi ishte i rrezikshëm

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, i ftuar në “Ditari” në A2, u shpreh se për prishjen e Teatrit Kombëtar u ndoq procedura ligjore dhe shpjegoi se nxitimi erdhi për shkak se ajo godinë përbënte rrezik për artistët që qëndronin aty.

“Ndoqëm procedurën ligjore, u interesuam për gjendjen e godinës dhe morëm përgjigjen e Institutit të Ndërtimit që na tha se kishte rrezikshmëri dhe nuk duhet të kishte njerëz brenda. Ne e dinim se aty qëndronin dhe madje flinin njerëz, çka përbënte rrezik për këdo që e përdorte atë. Vendimi ishte të ecnim përpara me prishjen sa më shpejt për të mos krijuar dëme në njerëz”, deklaroi Mazniku.

Kur iu vu në dukje se nuk u prit 10 ditë pas marrjes së vendimit, Mazniku tha: “Vendimet që hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes janë vendimet normative, ky nuk ishte vendim normativ. Ky ishte vendim nominal, që hyn në fuqi në momentin e votimit nga Këshilli Bashkiak”.

Mazniku theksoi më tej se “në sipërfaqen e teatrit nuk do të ndërtohet asgjë me përjashtim të teatrit”.

“Të gjitha sipërfaqet e tjera të qytetit zhvillohen sipas procedurave të bashkisë. Objekti i ri do të qëndrojë shumë mirë në harmoni me objektet e tjera përreth, këtë gjë e kemi treguar edhe me sheshin e ri “Skënderbej”. Teatri i ri, që do të jetë projekt modern, do t’i shtojë një gur tjetër të çmuar kolanës së Tiranës”, tha Mazniku.

Sipas tij, Teatri Kombëtar nuk mund të rikonstruktohej, pasi “kosto ishte tej mase e madhe, sepse duhej prishur pothuajse e gjitha dhe ta ribënim”.

“Kjo është shumë e kushtueshme dhe nuk sugjerohet nga ana restaurative. Materialet me të cilat ishte ndërtuar ishin një material që e kishte mbaruar kohën e tij", tha Mazniku.

Faktin që godina nuk u dëmtua nga dy tërmete të forta që goditën vendin tonë, Mazniku e shpjegoi kështu: "Tërmetet nuk kanë prishur asnjë kasolle. Kasollet nuk prishen nga tërmetet. Nuk dëmtohen nga tërmeti objektet me struktura druri dhe kallamishte, por ato bien për arsye të tjera. Këto objekte nuk mund të mbajnë njerëz brenda sepse nuk kanë kohë të dalin në rast zjarri apo katastrofe. Ai lloj objekti nuk dëmtohet nga tërmeti, por nga mekanizma të tjera".

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani