Protesta për Teatrin, policia procedon sërish artistët, nuk munguan incidentet

Protesta e artistëve ndonëse paqësore nuk kaloi pa incidente. Rasti i parë u regjistrua pak pas mbërritjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kryedemokrati nuk u prit mirë fillimisht nga një pjesë e të pranishmëve të cilët filluan ta vërshëllejnë e menjëherë pas kësaj përplasje mes simpatizantëve të Partisë Demokratike me disa protestues.

Por nuk do të kalonte shumë dhe asaj çfarë antiterrori i druhej u hodh në mes qytetarëve. Dy kapsolla të modifikuara me barut shtesë u lëshuan nga mesi i turmës në drejtim të policisë, por përfunduan mes protestuesve, fare pranë gardhit ndarës me uniformat blu. Dy vajza mbetën të lënduara nga shpërthimi kapsollës, njëra prej tyre gazetare.

Arben Qyrani, 49 vjeçar, i proceduar më parë gjatë protestave në zonën e Astirit u largua me ndihmën e dy personave nga turma. Ai u ndoq nga agjentët në terren dhe u arrestua në afërsi të rrugës së Elbasanit. Krahas tij policia identifikoi dhe arrestoi dhe dy personat që e ndihmuan të largohej nga protesta i mbuluar.

Veç të arrestuarve, për incidentin të proceduar për bllokim të rrugëve dhe pjesëmarrjes në tubime të paligjshme janë dhe artistët Robert Budina, Neritan Liçaj, Adriana Kalaja e Artan Manushaqa.