Shembja e Teatrit, Alibeaj: Brenda 48 orëve, një seri shkeljesh ligjore

Enkelejd Alibeaj, ish-deputeti i Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se vendimi i Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar nuk duhej ekzekutuar, pasi, sipas tij, ishte i paligjshëm.

“Nuk është kompetencë e Këshillit Bashkiak të vendosë prishjen e një godine. Nuk është as kompetencë e Këshillit të Ministrave që të kalojë një pasuri publike në pronësi të bashkive. Pa përmendur këtu nëse ka pasur apo jo mbledhje dhe votim të vlefshëm të Këshillit Bashkiak. Ka shumë shkelje ligjore në hapësirën prej 48 orësh. E gjitha është një aferë korruptive prej shumë milionë eurosh”, tha Alibeaj.

Ish-deputeti demokrat shtoi se ky ishte rasti ku duhej të shikonim SPAK-un në lëvizje: “Artistët nuk kanë marrë përgjigje nga SPAK-u, gjë që tregon se drejtësia e re ka lindur e vdekur. Ky ishte rasti më emblematik ku do të duhej të shikonim frytin e mirë të Reformës në Drejtësi”.

Në lidhje me zërat që thonë se politizimi i kësaj çështjeje e dëmtoi nismën për mbrojtjen e Teatrit, Alibeaj tha: “Çdo çështje që është publike, e ka politikën brenda. Nuk ka më mirë nëse njerëzit arrijnë që formacionet politike t’i bëjnë për vete. Ne si opozitë jemi përfshirë falë këtyre njerëzve në këtë çështje. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po jep një leksion të madh: jo vetëm kanë zgjuar shpirtin e shqiptarëve, por kanë arritur edhe që t’i imponohen politikës. Fatkeqësia është që deri tani, shoqëria nuk i është imponuar pushtetit”.

Kur u pyet nëse do të ketë valë të re protestash nga opozita, Alibeaj u përgjigj: “Ne kemi mbështetur jo vetëm këtë protestë, por edhe protesta të tjera si atë të naftëtarëve në Ballsh, apo të fermerëve në Divjakë. Ne kemi mbështetur protestat dhe udhëheqim vallen e madhe të mbrojtjes së demokracisë. Jemi të detyruar ndërkohë që të ndjekim edhe Reformën Zgjedhore, por ajo që pashë natën e 17 majit, do të jetë skenari i njëjtë i ditës së zgjedhjeve. Do të ketë po njësoj brutalitet dhe po njësoj mosrespektim të ligjit”.

Në lidhje me braktisjen e tryezës së Reformës Zgjedhore, ish-deputeti demokrat theksoi: “Nuk mund të shkonim në Këshill Politik një ditë pas kasaphanës me Teatrin. Nuk do të ishte dinjitoze që të shkonim paradite në tryezë dhe pasdite në protestë”.

“Ne kemi dorëzuar të gjitha propozimet tona: votimi elektronik, depolitizimi i administratës, mënyra e re se si duhet të jetë Kolegji Zgjedhor… Presim përgjigje prej kohësh dhe deri tani nuk ka asnjë përgjigje”, theksoi Alibeaj.