Shembja e Teatrit, Europa Nostra letër ministrave të jashtëm europianë

Ishte shtator, kur teatrot nisnin sezonin e ri, kur Aleanca që mbron Teatrin i kërkoi ndihmë Europa Nostrës t’i mbështeste në kërkesën e tyre për të mos prishur Teatrin Kombëtar.

Në dhjetor, kjo instancë europiane për kulturën shprehu mbështetjen. Ata do të bënin ç’është e mundur për ta mbrojtur Teatrin Kombëtar, njëlloj si kishin bërë më herët me kishat e Voskopojës apo me Amfiteatrin e Durrësit.

Sot, kur Teatri nuk është më, Europa Nostra dënon aktin e shembjes. Presidenti Ekzekutiv, Herman Parzinger ka treguar përmes një letre drejtuar kryetares së këshillit të ministrave të Bashkimit Europian, betejën e vazhdueshme që kjo instancë ka ndërmarrë për ta mbrojtur ndërtesën.

“Pas përshkallëzimit të rrezikshëm të situatës së javës së kaluar të shkaktuar nga transferimi i përgjegjësisë për Teatrin në Bashkinë e Tiranës dhe një vendim për prishjen e Teatrit – marrë pas dyerve të mbyllura – nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Europa Nostra bëri një deklaratë publike duke kundërshtuar çdo përpjekje për prishjen e një ndërtese emblematike të vendosur në ansamblin historik të mbrojtur në qendër të Tiranës dhe të mbështetur nga ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Në vend që të merrnin kohë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të tyre, dhe të hapnin dialogun me shoqërinë civile dhe ekspertët, autoritetet shqiptare vendosën të shfrytëzojnë ditën e fundit të masave të veçanta të urgjencës shëndetësore të ndërmarra si përgjigjepër pandeminë COVID-19, për të shkatërruar Teatrin”, shkruhet në letër.

Por, Teatri u prish dhe në letrën drejtuar sot Këshillit të Ministrave të BE-së, presidenti Parziner kërkon të dënohet ky akt i shembjes në kushte kur pritej që ekspertë ndërkombëtarë të vinin në Tiranë për të parë ndërtesën dhe për të kërkuar më pas shumën që do të nevojitej për rinovimin e tij.