Trajneri i Partizanit, Sormani: Frikë nga dëmtimet, jo nga virusi

Partizani synon të jetë gati për rifillimin e Kategorisë Superiore, për të përmirësuar vendin e gjashtë dhe të paktën për t’u kthyer në zonën e kupave të Evropës. Pas më tepër se dy muajve ndërprerje, trajneri Sormani nuk i trembet virusit, por dëmtimeve të futbollistëve.

“Kampionati duhet të rifillojë kur të krijohen kushtet e duhura. Për aq kohë sa federata ka dorëzuar një protokoll shëndetësor dhe qeveria ka dhënë leje për stërvitje, atëherë futbollistët janë të sigurt. Më tepër se koronavirusi, shqetësimi lidhet me kohën e shkurtër për t’u stërvitur dhe fakti që ndeshjet do të luhen në temperatura të larta. Këto elemente rrezikojnë dëmtime te lojtarët, kjo ndodhi në Gjermani, pas rifillimit të kampionatit. Në këtë garë të pazakontë, skuadrat duhet të shfaqin vullnet dhe të jenë të motivuara për të arritur objektivat”, shprehet Adolfo Sormani, trajner i Partizanit.

Protokolli sanitar është zbatuar me rigorozitet, si e vetmja mënyrë që futbolli të marrë edhe zyrtarisht “dritën jeshile” nga Ministria e Shëndetësisë, për rinisjen e kampionatit më 3 qershor.

“Nuk kemi lejuar të futet në stërvitje asnjë lojtar pa matur temperaturën. Është dita e dytë e stërvitjeve dhe asnjë futbollist nuk ka pasur probleme apo shqetësime. Dy-tre javë janë të mjaftueshme që sportistët të arrijnë në maksimumin e tyre fizik, për të përballuar ndeshjet e mbetura të kampionatit”, u shpreh Dhimosten Gjini, mjek i Partizanit. Grupi i të kuqve ishte i plotë, me mesfushorin nga Venezuela, Romero, që mbetet jashtë planeve të klubit.