Budina: Do ta pengojmë me forcë projektin e ri të Teatrit

budina protesta2 1100x620

Robert Budina, në fjalën e tij gjatë protestës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, tha se “nëse nuk ka reagim nga drejtësia” për prishjen e Teatrit Kombëtar, “atëherë do të jemi ne që do të pengojmë me forcë” projektin për teatrin e ri.

“U bëjmë thirrje autoriteteve të drejtësisë dhe ndërkombëtarëve të reagojnë. Vendi po rrëshqet në situatë pasigurie. Nëse nuk ka reagim nga drejtësia, atëherë do të jemi ne ata që do të pengojmë me forcë që të mos vazhdohet me projektin e Bjarke Ingels. E dua Teatrin aty ku ishte dhe sikurse ishte. Kërkojmë nga drejtësia të zbardhë sulmin terrorist që u bë mbi artistët, aktivistët dhe qytetarët. Kemi pamje kur tërhiqen zvarrë intelektualët”, deklaroi Budina.

“Ne jemi kockë e fortë dhe këtë e kemi treguar për 2 vite e 7 muaj. Halli i tyre nuk është vetëm Teatri, por kultura. Nuk do ta fitojnë kurrë betejën e tyre. Faktori ndërkombëtar po reagon me shpejtësi me atë që po ndodh në Shqipëri”, shtoi Budina.

Sipas Budinës, “një hap i parë për të qetësuar situatën që po përshkallëzohet është ndalimi i çdo punimi në truallin e Teatrit Kombëtar”.

“Ndërtesa duhet të hetohet nga prokuroria dhe shpallja e procedimit penal për autoritetet e përfshira”, shtoi Budina.