Bylykbashi: Teatri, gërmadhë e demokracisë, dëmtoi edhe reformën zgjedhore

Debati mbi reformën zgjedhore vijon të zhvillohet në tryezat e ndryshme politike, por pyetja është çfarë do të ndodhë në tryezën e këshillit politik?

Përgjigje kësaj pyetje i dha në Dita Jonë Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi opozitar në tryezën për këtë reformë.

“Edhe çështja Teatrit ka pasur një ndikim shumë të madh te reforma zgjedhore. Opozita kishte pranuar të sakrifikonte një pjesë të saj, të ulej me PS, e cila është fajtore për 3 palë zgjedhje radhazi, për të vendosur rregulla se si zgjedhjet e shqiptarëve në të ardhmen të jenë jo si ato të qershorit. Kemi bërë propozime shumë të rëndësishme në këtë tryezë. Të bësh zgjedhje normale nuk duhet më shumë se 20-25 nene. Ne kemi bërë propozime disa garanci shtesë”.

Bylykbashi u shpreh se procesi i reformës zgjedhore është dëmtuar nga shembja e Teatrit. “Në këtë moment procesi është dëmtuar në mënyrë të atillë nga qeveria dhe nuk mund të pretendohet se teatri nuk është vetëm një gërmadhë politike, por është një gërmadhë e demokracisë. Nuk mund që të bëjmë një farsë dhe gjerat të duket sikur asgjë nuk ka ndodhur. Nuk është thjeshtë një histori teatri, por është një histori se si ka vepruar shteti. Teatri ishte kambana e fundit. Sa i përket qëndrimeve, akoma nuk ka një kompromis për këtë çështje. Sado ne të vendosim rregulla strikte, ne do ta çojmë përpara këtë, ne do të kërkojmë ulje drastike të financimeve private, pasi e ka bërë pis këtë proces”, u shpreh Bylykbashi.

Reklamat e partive politike në televizione

“Është një temë që është debatuar gjatë. Ka ardhur si një rekomandim shumë i fortë i ekspertit të Këshillit të Evropës, ku rekomandohet që reklamat me pagesë të hiqen fare. Ky është një standard që e propozojnë në lidhje me diçka shumë konkrete. Ky është edhe flamuri i opozitës. Ne po përpiqemi që të ulim sa më shumë shpenzimet gjatë fushatave zgjedhore. Paraja të jetë sa më shumë nga buxheti i shtetit, e cila është para e pastër, por jo në shumë skandaloze. Ne propozojmë 66% nga shteti”.