Plani i rimëkëmbjes, ekspertët e ekonomisë tregojnë në “A2 Business Week” se si duhet vepruar

Ekonomia shqiptare është goditur fort nga kriza e koronavirusit. Të dhënat zyrtare flasin për një rënie të fortë me rreth 44% të eksporteve dhe 36% të importeve. Buxheti gjithashtu është shpartalluar nën efektin e virusit COVID-19, ku në prill, që ishte edhe muaji i parë i plotë i karantinës, të ardhurat ranë me 30%.

Institucionet financiare ndërkombëtare bëjnë parashikime të zymta për ecurinë e ekonomisë sonë këtë vit, teksa argumentojnë se jemi përshirë nga një recension i thellë që varion nga -5% që e parashikon FMN në -9% sipas BERZH-it. Por, kriza ekonomike që pason pandeminë shëndetësore të COVID-19 është globale dhe ajo do të reflektohet në të gjitha vendet e prekura nga koronavirusi. Ajo që ndryshon është shpejtësia e reagimit nëpërmjet masave që duhen marrë nga të gjitha qeveritë. Maqedonia e Veriut dhe Kosova e kanë bërë tashmë publik planin e detajuar të rimëkëmbjes, me mbështetje direkte për qytetarët dhe sektorët bazikë. Një plan rimëkëmbje qeveria shqiptare ka njoftuar se do ta ketë gati në fund të qershorit.

Selami Xhepa, ekspert ekonomie, deklaroi në “A2 Business Week” se “vëmendja e qeverisë duhet të ishte për të mbështetur ekonominë” dhe jo për projekte shkatërrimi.

Nëse qeveria nuk ka para’, disa projekte shkatërrimi t’i linte kur t’i vinte radha. Sot, vëmendja e qeverisë duhet të ishte për të mbështetur ekonominë dhe për ta nxjerrë nga rrënimi. Statistikat tregojnë se 2/3 e shqiptarëve mezi ia dalin për nevojat bazike për ushqim. Pse në Serbi paketa është 11% e GDP dhe në Shqipëri 2%? Kjo më duket absurde. Qeveria thotë futuni brenda dhe biznesin e saj e bën si zakonisht dhe shpenzon si më parë. Duhet rialokuar buxheti në këtë periudhë. Kur goditja është e fortë, kundërgoditja duhet të jetë edhe më e fortë. Nëse presim rënie me 10% të GDP dhe bëjmë paketë me 1% të GDP, atëherë jo vetëm që nuk e rivëmë dot në lëvizje ekonominë, por përkeqësimi do të jetë më serioz se kaq”, tha Xhepa.

Ndërsa Maksim Caslli, drejtor ekzekutiv i Deloitte në Shqipëri dhe Kosovë, u shpreh: “Ekonomia jonë po shembet. Goditja që do t’i vijë ekonomisë do të jetë drastike, dallga do të jetë shumë e madhe. Nuk ka ndodhur kurrë të goditemi me 10% të GDP dhe ende flasim sot për paga lufte. Duhet të rihapemi me patjetër, borxhi i ngritur me rastin e tërmetit duhet konsumuar sa më shpejt, të futet në ekonomi, mos të rrinë partitë politike duke u zënë me njëra-tjetrën. Palët duhet të flasin me njëra-tjetrën, të mos merren e prishi apo e ngriti teatrin sepse po bëhet një gropë e madhe”.

Në lidhje me atë që duhet bërë për rimëkëmbjen, Caslli tha: “Nuk është problemi sa para’ do të hidhen, por ku? Paratë duhet të hidhen në ato industri që mundësojnë rikthimin e shpejtë të tyre. Bujqësia dhe turizmi janë dy fusha. Gjithashtu, duhet parë se cilat biznese duhen ristrukturuar. Problemi më i madh është që palët të gjejnë zgjidhje”.

Ndërsa, sipas Xhepës, aktualisht “duhet qasje afatshkurtër për të shpëtuar ekonominë”: “Më duket luks që të flasim se ku duhet të rialokojmë fondet. Duhet të shpëtojmë njerëzit nga varfëria, duhen ndihmuar me të ardhura shtresat që janë në rrezik dhe të mbështeten bizneset që kanë probleme me likuiditetin”.