Merret vendimi për të ndaluarit në protestën për Mbrojtjen e Teatrit

prot8 1100x620

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për 8 personat e ndaluar në protestën e së dielës në kryeqytet që pasoi shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Gjykata vendosi arrest shtëpie për Erik Mërtirin dhe arrest në shtëpi me afat për Endrit Mërtirit ndërsa për të ndaluarit e tjerë Bojken Abazi, Romeo Lilo, Ledion Xhoxhaj, Burim Tafilica, Kastriot Qema dhe Sokol Ndoja u dha masa detyrim paraqitje.

Prokuroria kishte kërkuar masën “arrest në shtëpi” për një nga të arrestuarit dhe “detyrim paraqitje për të tjerët”.

Gjatë protestave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe mbështetësve të opozitës përpara sheshit të Teatrit, u shoqëruan në polici 64 persona ku krahas të 8 arrestuarve, 21 u proceduan në gjendje të lirë ndërsa 36 të tjerë u gjobitën për shkak të masave të aktit normativ për pandeminë Covid-19.

Këtë mëngjes Lëvizja Vetëvendosje organizoi një manifestim për t’u solidarizuar me personat e arrestuar gjatë protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Sipas organizatorëve, personat janë arrestuar padrejtësisht “për përpjekjen e tyre në mbrojtje të Teatrit, dhe kanë ushtruar të drejtën e tyre për të mbrojtur vlerat e trashëgimisë kulturore”.