Reforma Zgjedhore, Basha: Me shembjen e Teatrit, Rama hodhi në erë besimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh para mediave pas përfundimit të protestës së dytë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit se “më 17 maj, Edi Rama i tregoi botës se me të mund të ketë vetëm dhunim të të drejtave të qytetarëve”.

“Opozita ka një qëllim, t’i japë fund padrejtësisë që shtyp qytetarët. Në funksion të këtij qëllimi kemi bashkuar të gjithë forcat tona në një projekt ndryshimi që merr jetë me votën e shqiptarëve. Rama është investuar të ndalë rrugën evropiane të Shqipërisë dhe më 17 maj i tregoi botës se me të mund të ketë vetëm dhunim të të drejtave të qytetarëve. Në ditët në vijim, opozita do të përvijojë hapat e mëtejshëm me synim që qëllimi ynë për t’i dhënë shqiptarëve lirinë e votës të realizohet një orë e më parë”, tha Basha.

Kur u pyet nëse do të ulet sërish opozita në tryezën e Reformës Zgjedhore, Basha u përgjigj: “Kemi treguar vullnet për Reformën Zgjedhore sepse duam që shqiptarët t’i drejtohen kutive të votimit. Sot, përgjegjësia është e Edi Ramës për Reformën Zgjedhore. Me atë që ndodhi më 17 maj, Edi Rama hodhi në erë besimin në një proces që pa besim nuk është asgjë. Ne nuk mund të jemi fasadë”.