Debate në Kuvend për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri: Nuk është momenti për ndryshim sistemi

Diskutimi tjetër politik i momentit, Reforma Zgjedhore, ishte pjesë e debateve në Kuvend. Rudina Hajdari i bëri thirrje opozitës jashtëparlamentare të mos e braktisë tryezën e diskutimeve, ndërkohë që sipas saj, për sistemin janë futur në lojë dhe amerikanët.

“Ia arritëm ditës dhe ambasada amerikane dhe ndërkombëtarët janë duke i çuar këto ide përpara. Këtu duhet ndryshim sistemi sepse politika e vjetër e ka marrë peng këtë vend. Prandaj i bëj thirrje opozitës jashtëparlamentare të mos e braktisë tryezën, mos e lini Shqipërinë në duart e socialistëve. E latë Shqipërinë në duart e socialistëve në momentin që i braktisët mandatet në zgjedhjet lokale. Mos e bëni më këtë gjë. Hajde t’iu japim mundësinë shqiptarëve që në këtë parlament të vijnë ata njerëz që e meritojnë”, u shpreh Hajdari.

Por bashkëkryetari i Komisionit të Reformës, Damian Gjiknuri bëri dhe njëherë të qartë se nuk është momenti për ndryshim sistemi elektoral.

“Po të hapim lojën e sistemit në ato mënyra që themi, ne do të shpërbëjmë Kushtetutën e Shqipërisë. Sepse Kushtetuta e Shqipërisë kundërshtohet sistemi zgjedhor, nuk ndryshohet vetëm mënyra sesi përkthehen votat në mandate, por edhe raportet që ka qeveria me parlamentin. Ndryshohet dhe raporti që ka presidenti me parlamentin sepse kemi të bëjmë me një kompozim krejt të ndryshëm. Do të thotë që nëse hapim lojën e sistemit që nuk po them se nuk ka ardhur momenti, nuk mund ta zgjidhim dot tani, kur gjysma e elektoralit ndodhet në rrugë. Nuk bëhet, do klimë të qetë, bëhet fjalë për themelet e Republikës sonë”, shpjegoi Gjiknuri.