Dhuna në protestë, Lleshaj shpjegon për A2 pse policët nuk kishin identifikimin individual

lleshaj 1100x620

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i ftuar në “Ditari” në A2, shpjegoi pse efektivët e policisë nuk kishin shenja individuale identifikimi gjatë protestës që u zhvillua pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

“Policia e vendeve më të zhvilluara perëndimore nuk ka shenja individuale identifikimi kur përballet me turma, për arsye sepse ato numra janë të vlefshëm kur policët veprojnë në mënyrë individuale. Policët kanë pasur numrin e drejtorit të tyre dhe ky është identiteti i tyre në këto raste. Në 2012 u vranë njerëz dhe përgjegjësia kërkohet ende te individi, kur ata kanë vepruar në kuadër të strukturës. Keni pafund video ku mund të shikoni se si ballafaqohen policitë e huaja me turmat”, theksoi Lleshaj.

“Ata nuk kanë përfaqësuar vullnetin e tyre individual në protestë. Atyre iu dha urdhër dhe zbatuan urdhrin”, shtoi Lleshaj.

Gjithashtu, Lleshaj u shpreh se policia nuk e ka zhgënjyer: “Unë nuk i shmangem përgjegjësisë, alibitë nuk vlejnë dhe ia kujtoj vetes sime shpesh këtë gjë. Policia nuk më ka zhgënjyer në tërësinë e vet. Sigurisht që ka edhe përjashtime, por ato nuk e zhbëjnë të tërën. Policia e Shtetit përfaqëson në thelb shtetin dhe shoqërinë, të gjithë duhet të identifikohemi me të. Nëse identifikimi nuk na pëlqen, duhet të ndryshojmë veten ose policinë”.