Hetim parlamentar për Teatrin, opozita përplasje me mazhorancën për shembjen e godinës

parlament sin frame 153 1100x620

Opozita në parlament kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për teatrin kombëtar, për të zbuluar sipas saj të gjitha shkeljet e ligjit që janë bërë me këtë çështje.

Sipas Ralf Gjonit, deputetit të grupimit të pavarur, duhet zbardhur e gjithë procedura dhe shkeljet e aktorëve që çuan në shembjen e godinës më 17 maj.

“Të mblidhen kryetarët e grupeve parlamentare për të pezulluar seancën në këtë moment, për të diskutuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Ky komision duhet të marrë në konsideratë të gjithë faktet, të gjithë aktorët, të gjitha shpjegimet nga palët për ta zbardhur këtë ngjarje që ka shkaktuar kaq mllef. Nëse nuk ka këllqe njeri që ta drejtojë, unë vetë-ofrohem për ta drejtuar punën e këtij komisioni”, deklaroi Ralf Gjoni

Por në kundërpërgjigje si kryetari i Kuvendit, ashtu dhe ai i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i kërkuan deputetit Gjoni ta paraqiste kërkesën me shkrim.

“Nuk është mirë që të vijnë në Kuvend dhe të luajnë teatër mbi Teatrin. Se sa të dhemb ty shpirti për teatrin, unë e di shumë mirë. Bëj letrat djalë! Mëso që në Kuvendin e Shqipërisë procedura është e përcaktuar për çdo lloj nisme”, tha Balla.