Koronavirusi në Itali, Conte: Nuk është koha për jetë nate, ende nuk ka përfunduar

Italia ruajti paksa ecurinë e një dite më parë duke raportuar 665 raste të reja dhe 161 jetë të humbura nga pandemia koronavirus.

Bilanci total i të prekurve shkoi në 227 mijë dhe ai i viktimave në 32 mijë e 330. Rihapja e mëtejshme e ekonomisë dhe rifitimi i lirive të humbura nga emergjenca shëndetësore ka rritur frikën e autoriteteve në vendin fqinj për një shtim të rasteve. Këtë shqetësim e konfirmoi dhe kryeministri, Giuseppe Conte, i cili lëshoi një thirrje ndaj qytetarëve.

“Ju falenderoj, por nuk ka përfunduar akoma. Të jemi të qartë, nuk është koha për festa dhe për rikthimin e jetës së natës, në të kundërt kurba do të rritet”, u shpreh Giuseppe Conte, kryeministër i Italisë.

Guvernatorët e rajoneve janë dakordësuar për rikthimin e një forme izolimi nëse shifrat e përhapjes së koronavirusit do të vazhdojnë të rriten. Ndërsa thirrjes së qeverisë italiane për rihapjen e kufijve i është përgjigjur Austria. Kancelari, Sebastian Kurz, tha se marrja e një vendimi të tillë do të ishte e papërgjegjshme përballë shifrave që raportohen nga vendi fqinj. Ndërkohë, Britania e Madhe shënoi pak përmirësim në shifrat ditore. Në 24 orët e fundit, 363 persona humbën jetën.

Kryeministri, Boris Johnson prezantoi në parlament një program për të gjurmuar personat e dyshuar, të cilët kanë pasur kontakt me të infektuar. Përveç kësaj, ai bëri me dije se nga 1 qershori do të rritet dhe numri i testeve ditore, deri në 200 mijë.

Situata është ndërlikuar dhe në Gjermani. Qeveria federale do të shtrëngojë masat në të gjitha thertoret e vendit, duke ndaluar kontraktimin e punës së paketimit të mishit përmes agjencive pas shtimit të rasteve në këtë sektor. 600 punonjës të kontraktuar u konfirmuan me koronavirus vetëm gjatë së mërkurës.