“Kthejmë projektin italian”, Rama: Do të jetë për fëmijët, por jo teatër e jo aty

Kryeministri Edi Rama thotë se debati për Teatrin Kombëtar e kanë bërë të reflektojë. Ky projekt i vitit 1938 i Giulio Berte, i atij që ishte për rreth 80 vjet Teatri Kombëtar shqiptar, do të ndërtohet nga e para, por nuk do të jetë teatër dhe as aty ku ishte.

“Meqë projekti italian nuk u vu në jetë kurrë dhe meqë ka njerëz të cilët më kanë bërë që të reflektoj, ne do ta marrim projektin origjinal siç ishte dhe do t’ua rikthejmë, jo Aleancës për Politikën me Teatrin, jo artistëve politikanë dhe politikanëve artistë që janë mbledhur atje, por do ia rikthejmë fëmijëve si pjesë e një programi më të madh. Do ta kemi mes nesh, jo aty dhe jo teatër”, tha Rama.

Lufta nuk lejoi përfundimin e projektit fillestar të arkitektit italian, sqaron kryeministri, i cili hedh poshtë pretendimet se objekti i shembur në 17 maj të 2020 ka qenë listuar ndonjëherë si monument kulture: “Është fëmija bastard i një marrëdhënieje mes autorit dhe lufta fashiste që duhej ushqyer me para’ dhe me grurin e mbjellë në parqet e Tiranës”.

Në monologun në Parlament, ku citonte shpeshherë dramaturgë dhe shkrimtarë të njohur, kryeministri zbardhi një ofertë që në vitin 2010 i kishte ardhur nga biznesmenë pranë qeverisë Berisha. Kjo e fundit, në atë kohë, synonte që Teatrin Kombëtar ta kalonte te Piramida.

“Më kanë ardhur në zyrën time kur isha kryetar bashkie dhe më kanë paraqitur projektin e Plaza Shopping në truallin e Teatrit Kombëtar. Projekti ishte i bukur, ishte një shesh me dyqane, bare dhe restorante. I thashë që është shumë i bukur projekti, por aty do të ndërtohet Teatri Kombëtar i ri. Më thanë se teatri i ri do të bëhet te Piramida”, tha Rama.

Për dy vjet e gjysmë, sipas kryeministrit, me teatrin po luhej një skenar politik, mesazh që zgjodhi ta përcillte duke aktruar edhe ai: “Në këtë vend, korruptohet gjithkush, edhe Robert Ndrenika, por vetëm Luli dhe Monika janë aty për të na luftuar të gjithëve dhe për ta pastruar Shqipërinë nga korrupsioni, së bashku me dramaturgun plak dhe me komedianin në zyrën e Presidencës”.