“Marrëveshja e fshehtë”, Mediu: Basha duhet të bëjë vetëm një marrëveshje

Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, komentoi në “Ditari” në A2 deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila shkroi në Twitter se shpresonte që të mos kishte “një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi”.

Sipas Mediut, “opozita ka qenë dhe ngelet për reformën që të garantojë gjyqësor të pavarur” dhe theksoi se Lulzim Basha “nuk ka arsye për të bërë marrëveshje të fshehtë”.

“Reforma në Drejtësi duhet të ecë sa më shpejt për të garantuar ngritjen sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Opozita ka qenë dhe ngelet për reformën që të garantojë gjyqësor të pavarur. Basha nuk ka arsye për të bërë marrëveshje të fshehtë, Basha ka vetëm një rrugë: marrëveshjen me qytetarët shqiptarë”, theksoi Mediu.

Në lidhje me takimin e sotëm të opozitës me presidentin Ilir Meta, Mediu u shpreh: “U diskutua për situatën e rëndë ku ndodhet vendi. Presidenti e quajti paligjshmëri shembjen e Teatrit Kombëtar dhe opozita ndau të njëjtin qëndrim. Presidenti prezantoi edhe një platformë që ka të bëjë me interesin e shqiptarëve: integrimin evropian. Ka disa elemente aty si garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Sa i përket Reformës Zgjedhore, kreu i PR-së tha se “opozita ka bërë propozimet e saj dhe mazhoranca duhet të kthejë përgjigje për ato 5 propozime”.

“Nuk i themi ne as po dhe as jo njëri-tjetrit, por jemi për të plotësuar standardet që më pas i gjykon arbitri ndërkombëtar. Nuk mund të hedhim në tryezë propozime pa fund. Ajo që ndodhi me Teatrin ka edhe një qëllim nga ana e Ramës për ta çuar opozitën në pozicione ekstreme. Do ta kërkojmë deri në fund Reformën Zgjedhore dhe kam bindjen se diskutimeve të opozitës prandaj nuk i kthehet përgjigje, që më pas të bëhet një reformë e njëanshme dhe të vazhdohet historia e manipulimit të zgjedhjeve”, deklaroi Mediu.

Kur u pyet nëse opozita do t’i rikthehet protestave, Mediu nënvizoi se “do të ishte absolutisht e pafalshme për opozitën nëse nuk do të ngrejë zërin e protestës qytetare”.