Ndoka: Teatri ka shembur Ramën, fillon një epokë e re

Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane, u shpreh në A2 se shembja e Teatrit Kombëtar ka rrëzuar edhe kryeministri Rama.

“Teatri ka shembur Ramën. Sot fillon një epokë para teatrit dhe pas teatrit, në aspektin politik dhe të një kauze. Kjo do të jetë kthesa e madhe edhe e ndërgjegjësimit të qytetarëve. Tashmë ka një shpresë tjetër. Opozita ka agjendën e saj politike dhe ne jemi të fokusuar te reforma zgjedhore. Shembja e teatrit e acaroi shumë paqen politike. Ne jemi të përkushtuar krah artistëve, për ta bërë nul veprimin anadollak të kryeministrit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ne shohim se kemi përballë një kryeministër që nuk e njeh Kushtetutën, realitetin e politikës dhe ka dhunuar institucionet. Veprimet e tij antiligjore dhe antikushtetuese, me shembjen e Teatrit, jemi në situatën që nuk mund t’ia besojmë atij të administrojë zgjedhjet. Çlirimi i kësaj skeme dhe garanci për zgjedhje të ndershme. Zgjedhjet tranzitore janë bërë një pikë e pakalueshme e opozitës”, tha Ndoka.

Sa i përket pritjes që zhvilloi ditën e sotme Presidenti Meta me partitë e opozitës, Ndoka u shpreh se situata aktuale politike ishte tema e këtij takimi.

“Ishte një informim dhe konsultë me opozitën mbi situatën politike në përgjithësi. Presidenti po e ndjek me vëmendje situatën dhe është përpjekur të qëndrojë mbi palët edhe pse situata duket drejt një konflikti. Unë e vlerësoj rolin e presidentit dhe shpresoj që do të gjendet fryma pozitive edhe nga ana e mazhorancës”, u shpreh Ndoka.