Një vit protestash nuk ka zbutur Pekinin, pritet të miratojë normën që godet autonominë e Hong Kongut

Hong Kong protesta 1100x620

Tensioni midis Kinës dhe qytetit të saj “rebel”, ish-kolonisë britanike të Hong Kongut, rrezikon të ndizet sërish pas protestave të vitit të kaluar, dhe të arrijë nivele edhe më të dhunshme.

Shkaku pritet të jetë vendimi i Pekinit zyrtar për të miratuar në sesionin vjetor të Parlamentit një normë për sigurinë kombëtare, që në parim do të dënojë çdo aktivitet të fokusuar në pavarësinë  e Hong Kongut nga Kina, si dhe ndikimet e huaja.  

Norma pritet të diskutohet nesër, edhe pse nuk dihet koha e nevojshme për miratimin e saj. Pritet që kjo normë t’i shpallë “luftë” të gjithë lëvizjes që me vite të tëra ka luftuar për mbajtjen e sistemit perëndimor të trashëguar nga Britania e Madhe, dhe që me miratimin në fjalë mund të gjykohet më ashpër, duke i dhënë një goditje të rëndë autonomisë së mbetur të atij që gjykohet si një qytet-shtet.

Një ligj i tillë u diskutua në Hong Kong edhe në 2003, por u refuzua me manifestime masive nga popullsia vendase, dhe nuk ishte futur më në agjendën e pushtetit kinez. Por protestat e vitit të kaluar në kundërshtim të një ligji tjetër, atij të transferimit të të dënuarve në Kinë, protestë kjo masive dhe në disa raste e dhunshme ndaj institucioneve lokale dhe qendrore, ka bindur Pekinin se një masë frenuese duhej miratuar.

Kësaj radhe, në vend që të miratohet lokalisht, diçka pothuajse e pamundur nga kundërshtimi i gjerë popullor në Hong Kong, Kina do ta miratojë atë në Pekin, dhe sipas analistëve më pas mund ta cilësojë si një shtojcë për të cilën nuk do të ketë nevojë për miratimin lokal të Hong Kongut.

Miratimi i pritshëm i normës për sigurinë kombëtare pritet të ndezë debatin edhe ndërkombëtarisht, dhe të tensionojë sërish marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e saj aleate, veçanërisht Mbretërinë e Bashkuar.