Përfundon takimi i Metës me opozitën: Jepni kontribut në Këshillin Politik

basha meta 1100x620

Ka përfunduar takimi i presidentit Ilir Meta me krerët e opozitës që zgjati për rreth 1 orë e 15 minuta.

Në takim morën pjesë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ai i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, Dashamir Shehi nga Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar dhe Agron Duka nga Partia Agrare Ambientaliste. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim u përfaqësua nga nënkryetari Petrit Vasili.

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte arsyeja e thirrjes së këtij takimi, që vjen pasi opozita iu bashkua protestave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe u tërhoq nga tryeza e Reformës Zgjedhore. Edhe presidenti e dënoi këtë veprim nga ana e autoriteteve duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin.

Përmes një njoftimi për mediat, presidenti shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe vlerat europiane.

Megjithatë, ai mësohet t’i ketë kërkuar opozitës që të vazhdojë punën në tryezën e reformës zgjedhore. “Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, thuhet në njoftimin e Presidencës për mediat.

Ndërsa kreu i PD-së, Basha, përmes një njoftimi për mediat, tha: “Shembja e Teatrit është prova e fundit e një hajduti ordiner që i vjedh, i varfëron, dhe i dhunon shqiptarët. Me çdo ditë që kalon, “Ramavirusi” i bën dhe më keq njerëzve dhe vendit. Ai është sot armiku i mirëqenies së shqiptarëve. Gjatë takimit të koalicionit opozitar me presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj: shqiptarët do të shpëtojnë kur, të bashkuar kundër së keqes, do t’u drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.