Përplasja te Teatri, Lleshaj: Kërkohet numri identifikues i policëve për t’i kërcënuar personalisht

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagoi në seancën e Kuvendit për aktet e dhunës që u shënuan gjatë protestës së 17 majit që pasoi shembjen e Teatrit Kombëtar. Sipas tij, kundërshtimi dhe goditja e punonjësit të policisë përbën vepër penale.

“Kundërshtimi i punonjësit të policisë dhe goditja është vepër penale. Duhet të pranojmë pasojat e këtij veprimi. Policia është urdhëruar të shkojë atje, është vendosur nga ligji mes dy palëve, nuk është e moralshme që sulmi të drejtohet ndaj tyre”, tha Lleshaj.

Më tej, ministri Lleshaj sqaroi dhe arsyen pse disa efektivë nuk kishin numrin e identifikimit në bluza. Ai shpjegon se kërkohet identifikimi personal i policëve që të kërcënohen dhe intimidohen.

“Kam dëgjuar shumë që kërkojnë numrat e identitetit të tyre, duan t’i identifikojnë personalisht. Të nderuar qytetarë, punonjësit e policisë nuk kanë qenë individualisht, por të strukturuar. Nëse doni të kërkoni një përgjegjësi penale, ligjore, politike, kërkojeni për përgjegjësit e tyre, të cilët i dini se kush janë. Jam unë, Drejtori i Policisë, Drejtori vendor i Policisë. Për çfarë ju duhen punonjësit individualë? Përse ju kërkoni emrat e personit të përveçëm? Për t’i linçuar individualisht për t’i intimiduar?