Platforma e Metës më 8 prill, fokusi te përplasjet me mazhorancën për drejtësinë

Platforma e Ilir Metës me 14 pika, e propozuar më 8 prill është pasuar me deklarimin e 9 majit të kryeministrit Rama në konferencën për shtyp me ambasadorin e BE-së, Lugi Soreca, se është i gatshëm të ulet në një tryezë për integrimin me Metën dhe liderin e opozitës Lulzim Basha.

Platforma e Metës ka si bosht përpjekjen e presidentit për gjithëpërfshirje palësh për integrimin europian. Por A2CNN ka mësuar se, dokumenti, që prej ditësh qarkullon mes palëve dhe në tryezat e trupit diplomatik, i cili po viziton sa një zyrë një tjetër, në fakt, në 10 pika të tij, fokusohet te përplasjet e Metës me mazhorancën për institucionet e drejtësisë.

 Këtu përfshihet edhe kërkesa e tij për largimin e Ardian Dvoranit nga kreu i KED, me argumentin se i ka përfunduar mandati në Gjykatën e Lartë, si dhe përfshirja e Avokatit të Popullit sipas ligjit në të gjithë aktivitetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Meta kërkon plotësimin e vakancave në Kushtetuese dhe mosndryshimin e formulës së betimit, të cilin Kushtetuta e ka të përcaktuar se bëhet te presidenti. Ajo që bie në sy është se Ilir Meta kërkon një tjetër këshill politik dhe kësaj here për reformën në drejtësi, ku të jetë edhe opozita, sipas praktikës së vendosur me këshillin politik të reformës zgjedhore.

Një tjetër përplasje e Metës me mazhorancën është edhe ajo për kryetarin e KLSH, pasi socialistët i kanë refuzuar tre kandidatë. Meta bën thirrje vazhdimin e punës për një reformë zgjedhore konsensuale. Dhe në fakt kjo reformë është e vetmja që ka marrë vëmendjen e kreut demokrat Lulzim Basha, i cili kësisoj ka zgjedhur që prej vjeshtës së shkuar t’u qëndrojë kushteve të Bundestagut gjerman për integrimin.

Ato detyrojnë opozitën të bëhet pjesë e reformës zgjedhore për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, si kusht për negociatat e anëtarësimit. Si konkluzion që prej 8 prillit, kemi një platformë nga presidenti, një thirrje pasuese nga kryeministri për integrimin, por nga ana tjetër kryetari i opozitës, Basha e ka bërë të qartë se nuk do të ulet në tryezë me shefin e qeverisë.

Një qëndrim i përforcuar të dielën e 17 majit, kur u shemb Teatri Kombëtar. Pasdite ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, dha një mesazh të fortë në lidhje me Reformën në Drejtësi. “Shpresoj që të mos ketë një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo e përkryer, por është e nevojshme, është duke bërë përparim dhe duhet të vijojë”, shkruan Kim në rrjetin social Twitter.