Protesta e artistëve zhvendoset në SPAK, Budina: Prokurorët mos bëhen barrikadë e korrupsionit

Protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit u zhvendos mëngjesin e së enjtes nga sheshi para Teatrit Kombëtar, te godina e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion të njohur ndryshe si SPAK.

Artistët kërkuan nga prokurorët e SPAK vendosjen e masës sekuestro preventive për truallin e Teatrit si dhe pezullimin e të gjitha punimeve në vazhdim deri në zbardhjen e çështjes, si dhe depozituan kallëzim penal për shpërdorim detyre për kryetarin e Bashkisë, Erjon Veliaj dhe nënkryetarin Arbian Mazniku.

Regjisori Budina deklaroi se arsyeja e kësaj proteste është për të treguar mbështetjen ndaj prokurorëve që të vijojnë të bëjnë punën e tyre për zbardhjen e kësaj afere dhe të mos bëhen barrikadë e korrupsionit.

“Protesta para SPAK për sensibilizim dhe në mbështetje të prokurorëve që ata të ndihen të mbështetur dhe të vazhdojnë me proceset që kemi sjellë këtu dhe do të sjellim. Fadroma i ra Teatrit kur ne ishim brenda. Të reagojnë me urgjencë sepse ishte tentativë për vrasje ndaj qytetarëve, artistëve. Ne nuk ishim të armatosur. Ne shpërthyem një korrupsion që bëhej me aferën e Teatrit Kombëtar. Do ta çojmë lëvizjen në gjithë Shqipërinë. Prokurorët kanë një detyrë që të mos ta çojnë popullin në përplasje me qeverinë dhe të mos bëhen barrikadë e korrupsionit”, u shpreh regjisori.